Rend dhe Ligj

Vrasja e 2-fishtë në Laç, arrestohet gjatë natës i dyshuari i dytë

Policia ka arrestuar të dyshuarin e dytë për vrasjen në Laç të dy biznesmenëve, Bujar Lika Hasani dhe Paulin Gjergji Marku.

Ai është Ilir Xhepaj, i cili u arrestua në orët e vona të natës në zonën e Astirit në Tiranë dhe është shoqëruar në Kurbin për llogari të Policisë së Laçit.

Xhepaj është bashkëpunëtor i Eduart Lamajt, autorit kryesor të vrasjes së 30 majit. Ilir Xhepaj rezulton një person me të shkuar kriminale. Mësohet se Xhepaj kishte vetëm 3 muaj që kishte lënë burgun pasi ishte dënuar për grabitje.

Eduart Lamaj së bashku me Ilir Xhepaj, të veshur si policë, hynë në hotelin A&A në Kurbin ku qëlluan për vdekje dy biznesmenët.

Lamaj u arrestua disa ditë më parë teksa po kurohej në një klinikë private në Qytetin Studenti në Tiranë në mënyrë ilegale. Ai kishte marrë një plumb ditën e atentatit dhe ishte fshehur prej 20 ditësh si i plagosur.

Ende në kërkim mbeten Elson (Oltion) Alija (Vlashi) dhe 21 vjeçari Klaudio Perkola, gjithashtu bashkëpunëtorë të Eduart Lamajt.

Për Ilir Xhepajn, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin kishte dhënë masën e sigurisë Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje mbetur në tentativë”, dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi në 15 maj 2020, në lagjen nr. 4, Laç, Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Z. M.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale në ngarkim të tij “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim”, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë