Në njoftimin zyrtar të shpërndarë për mediat në datën 11 gusht, Policia e Shtetit njoftoi prangosjen e Ritvan Zykajt, 24-vjeçarit që pak orë më parë kishte ekzekutuar me gjakftohtësi 8 anëtarë të fisit të vet për motive të dobëta.
“Si rezultat i punës së mirëorganizuar, krehjes së territorit, kontrolleve të shumta dhe pa ndërprerje gjatë gjithë natës edhe me anë të qenit gjurmes, të përdorur nga ana e strukturave Policore të DVP Vlorë, RENEA, FNSH dhe Delta Forcë u bë e mundur kapja e autorit të krimit Ritvan Zykaj në një zonë periferike në dalje të Selenicës. Gjithashtu u sekuestrua edhe arma e krimit, një kallashnikov”, thotë Policia e Shtetit.
Por, një detaj nga dosja e Prokurorisë për dinamikën se si ka përfunduar në pranga i riu tregon një variant të ndryshëm. Pas kryerjes së krimit, thotë prokuroria në dosjen e dorëzuar në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë, Ritvan Zykaj është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e përdorur në vrasje.
Forca të shumta policore e kanë rrethuar në një zonë periferike të Selenicës, por nuk kanë ndërhyrë për arrestimin e tij. Në vend të kësaj, Prokuroria thotë se është negociuar dhe pas këtij negociimi, autori i vrasjes së shumëfishtë është vetëdorëzuar rreth orës 04:30 minuta të datës 11 gusht dhe më pas ka treguar edhe vendin ku kishte flakur armën e krimit, një Kallashnikov.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 të së premtes. Nga dëshmitë e dhëna në prokurori rezulton se 24-vjeçari shpesh ju kishte thënë të afërmve “do ju bëj hatanë, ndaj mos më bini në qafë”, lidhur me akuzat se u kishte vjedhur pulat.
Këtë të hënë, Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ritvan Zykajn. Ai para Gjykatës në orën 11:00 për t’u njohur me vendimin e tij lidhur me masën e sigurisë për të cilën rëndon akuza e “Vrasje e cilësuar e dy, ose më shumë personave”. Zykaj u shfaq i qetë dhe gjakftohtë si dhe nuk tregoi shenja pendese për vrasjen e 8-fishtë.
Ndërkohë gjatë futjes së tij në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie dëgjohej thirrja: I pashpirt. Banorë të revoltuar të pranishëm në ambientet e Gjykatës kishin postera në duar me mbishkrime: Dënim me vdekje për kriminelët.
Mbi 15 avokatë refuzuan të mbrojnë Ritvan Zykajn. Me ndërmjetësim të kreut të gjykatës, u caktua avokati Renato Mehmetaj. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, ku të pranishëm ishin gjyqtarja Esmeralda Habilaj dhe prokurori i çështjes Saimir Smaka. Asnjë prej familjarëve të 24-vjecarit, i konsideruar si monstra e fshatit, nuk ishte i pranishëm në procesin gjyqësor. Ritvan Zykaj është marrë në pyetje edhe nga gazetarët pse e kreu krimin, por gazetarët nuk marrin asnjë përgjigje, vetëm heshtje.
Ngjarja e ditës së premte ishte ndër më të rëndat vitet e fundit në Shqipëri. Krimi makabër ka tronditur edhe mediat ndërkombëtare. Ajo që i kalonte kufijtë e imagjinatës ishte moshezitimi i tij për të përdorur rrjetet sociale, duke sfiduar edhe policinë. Familjarët e tij kanë braktisur fshatin, ndërsa gjyshi i tij, Kujtim Zykaj, ka shkuar pranë familjes së vëllait të masakruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.