Njerez

Votuesit indiferentë flasin me zë të lartë, të tjerët heshtin

Nga Gisela Troplini- “Kafshët po shikonin nga derrat tek njerëzit e nga njerëzit tek derrat dhe nuk e kuptonin se kush ishte kush.”

Kështu, e mbyll George Orwell librin e tij distopik “Ferma e Kafshëve” ku sulmon dhe ironizon të gjithë liderët e shteteve të mëdha.

Me të njëjtën analogji flet një zotëri i zhgënjyer, që dikur ishte i lidhur ngushtë me politikën.

“Të gjithë njësoj janë, vetëm flasin dhe asgjë s’bëjnë,”-shprehet ai.

Ndërkohë që mediat dhe vetë figurat e politikës po angazhohen me dinamizëm për të “rrëmbyer” vëmendjen e zgjedhësve ka ende shumë nga ata të pa interesuar. Në biseda me qytetarë të ndryshëm rrugëve të Tiranës, dy fjali përsëriten shpesh. “S’më intereson fare” dhe “vota është e fshehtë”.

Por kundrejt atyre që e dinë se si do të votojnë, por nuk flasin, indiferentët janë më të zëshëm.

“Nuk dua t’ja di për asnjërin! Punoj në privat këtu e kaq vite dhe asnjë parti nuk më ka ndihmuar.” Thotë një qytetar banues në Tiranë, i pyetur nga gazeta “SI” mbi njohjen e programeve që kanë ofruar kahet politike për fushatën zgjedhore të prillit 2021.

Nga takimet me qytetarët, vihet re se ndonjëherë, më shumë se sa propaganda me fjalë të bukura dhe premtimet me shifra të mëdha, disa kandidatë i ndihmon historiku.

Njëri pre tyre i tha gazetës “Si” se xhepi i tij ishte më i mbushur kohën e Berishës, u rritën pagat, pensionet dhe kështu do të votonin Bashën këtë herë se presin të njëjtën gjë

Nga ana tjetër ka votues që bindja politike bashkangjiten me trashëgimin , njësoj si një adet që duhet ta përsërisim sa herë vjen radha.

“Nuk e ndërroj unë jo. Kam qëkur, bashkë me burrin që votojmë PS-në,”-thotë një zonjë për gazetën “SI”. “E di që disa gjëra nuk i kanë bërë si duhet, por ne prapë atë do të votojmë.”

Ka të tjerë njerëz që ende sot kur ka mbetur pak ditë deri në zgjedhje nuk i kanë shumë të njohura planet e prezantuara nga kandidatët. Në kontrast ka nga ata që i janë rrahur veshët me premtimet dhe planet e partive sepse nuk i shmangen dot kontaktit më të.

“Po sigurisht që i dimë. Natë e ditë vetëm ato jep televizori. Dhe po nuk deshëm ne i dëgjojmë me zor,”- shprehet duke qeshur një zonjë rreth të gjashtëdhjetave.

Një familje tiranase, banues në një pallat para se të hysh në zonën e Kombinatit, ka vendosur flamurin me logon e partisë ngjitur me flamurin kuq e zi të Shqipërisë. “Nuk kemi ç’flasim,” tha i zoti i shtëpisë teksa tregonte derën kryesore, aty ku qëndronin dy flamujt së bashku, qartazi një familje konservatore.

Në parkun poshtë pallatit, në një nga stolat qëndronte një zonjë e moshuar, po pushonte disa minuta. Kishte vite që nuk votonte vetë, as i biri, ishte i sëmurë. Asnjë burim të ardhurash në shtëpinë e tyre. Justifikohej se nuk kishte fuqi apo njerëz që të shkonte deri tek qendra e votimit, por në të vërtetë ajo nuk kishte më besim. Vetëm pak shpresë që po i zbehej.

“Të më sigurojë njeri kujdes dhe ushqim për djalin, iki e votoj”,- u shpreh zonja duke na treguar se realiteti parazgjedhor nuk ka vetëm ngjyrat e partive, por dhe një gri të fortë që “bërtet” ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë