Lajme

Votohet buxhetit faktik e Korporata e Investimeve, Ruçi shpëton Rudina Hajdarin

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi doli kundër propozimit të paraqitur për ndryshimin e kryetarit të grupit parlamentar të opozitës së re, duke shpëtuar Rudina Hajdarin nga përplasjet brenda demokratëve.
E enjta pritej si një ditë vendimtare ku do të sheshoheshin përplasjet mes grupit të opozitës së “Demokrat”, pasi në tavolinën e Ruçit kishin mbërritur disa shkresa, ku e para njoftonte se Korab Lita do të ishte kryetar i ri grupit parlamentare dhe jo Rudina Hajdari. Ndërsa shkresat e tjera ishin që rrëzonin shkresën e Litës se ishte marrë një vendim për të zëvendësuar Hajdarin.
Në fund të seancës kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka sqaruar sherrin brenda opozitës së re, duke theksuar se së pari i ka mbërritur njoftimi për ndryshimin e kreut të grupit parlamentar, duke caktuar deputetin Korab Lita.

Deputeti Korab Lita, i cili synonte marrjen e postit të kreut të grupit "Demokrat"


“Nga deputetët e tjerë si Halit Valteri dhe Fotjona Dhimitri më kanë mbërritur shkresa ku më vënë në dijeni se ky vendim nuk është marrë. Po ashtu më kanë ardhur shkresa dhe nga Myslim Murrizi dhe nga vetë Rudina Hajdari”, theksoi Ruçi. Kryeparlamentari duke bërë të ditur edhe faktin se janë pesë deputetë të tjerë të paangazhuar në grup që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e grupit “Demokrat”. Emrat e tyre janë Vasil Stejovski, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, Krenar Rryçi dhe Elda Hoti që kanë firmosur deklaratën për t’iu bashkangjitur grupit të ri kuvendor të opozitës.
Por Ruçi, e ka gjetur zgjidhjen duke theksuar se grupi “Demokrat” duhet të miratojnë një rregullore të brendshme të funksionimit, gjë që nuk është bërë dhe se më pas me të gjitha procedurat për zgjedhjen ose jo të kryetarit të ri.
“Rregullorja e re miratuar në fund të korrikut, e këtë kërkoj që ta zbatojnë edhe grupet e tjera parlamentare, kërkon që ju të hartoni edhe një rregullore për funksionimin e grupit qoftë për pjesëmarrjen dhe vendimet që merrni. Bashkë me prurjet e reja dhe sipas rregullores është e drejta e juaj që të vendosni”, theksoi Ruçi, i cili mbylli menjëherë seancës duke mos ia dhënë fjalën për procedurë deputetit Korab Lita.
Me këtë qëndrim Ruçi bëri që grupi “Demokrat” të shkojë në 14 deputetë, ndërsa Hajdari të dalë më e fortë nga kjo përplasje, pasi veç pesë deputetëve që iu bashkangjitën në këtë grup, pro saj dolën edhe ata aktualë Halit Valteri, Myslim Murrizi. Rudina Hajdari përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar një foto të sajën nga fjalimi që mbajti ditën e djeshme për shkarkimin e saj nga posti i kryetares së grupit parlamentar demokrat. Krahas kësaj fotoje Hajdari ka cituar edhe një prej thënieve më të veçanta të Mahatma Gandhi, ku me siguri kjo ka qenë një shprehje për të motivuar veten. “Në fillim të injorojnë, pastaj qeshin me ty, pastaj të luftojnë, dhe pastaj ti fiton”, shkruan Hajdari.


Votohet buxheti faktik dhe Korporata


Në një seancë parlamentare ku vëmendja ishte përqendruar te negociatat në rendin e ditës për t’u miratuar ishin dy projektligje të rëndësishme “Buxheti faktik i vitit 2018” dhe “Korporata e Investimeve”. Me 79 vota pro, 20 kundër dhe 3 abstenim u votua për buxhetin faktik, ndërsa me 77 vota pro, 19 kundër, dhe 3 abstenim mazhoranca kaloi Korporatën e Investimeve. Në këtë seancë ku ka munguar kryeministri Edi Rama për shkak të vizitës në Bruksel nuk ka pasur debate të ashpra, veç një rasti ku deputeti i opozitës, Ralf Gjoni u përplas me ministrin e shtetit për Sipërmarrjen, Eduard Shalsi.

Nga tensi0oni në Parlament mes Gjonit dhe Shalsit


Ndërkohë që po fliste në lidhje me temën e diskutimit të ditës, Korporatën e Investimeve, Gjoni po tregonte për pronat që i ishin zaptuar gjyshit të tij. Në atë moment, Shalsi i është drejtuar duke i kërkuar të mos fliste për këtë gjë në Kuvend, por t’i zgjidhte ligjërisht.

Në debat u përfshi edhe zëvendëskryeministri Braçe, i cili i bëri me shenjë të mbyllte gojën. Për këtë, Gjoni kërkoi marrjen e masave ndaj tij. “Braçe përdori shenja fyese dhe kërcënuese, e mimika kundrejt meje. Duhet të merrni masa”, tha Gjoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë