Në një kohë kur në Kuvend pritej që të miratohej paketa antishpifje, gazetarë, aktivistë dhe analistë, mbështetur dhe nga opozita jashtë parlamentit, po zhvillojnë një protestë kundër këtij projektligji.
Protesta nisi në orën 09:30 para Parlamentit.
Gazetarët dhe aktivistët në protestë pretendojnë se paketa antishpifje nuk u jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon qeveria, por është përpjekje për të kapur median online.
“Mënyra si është konceptuar ky ligj është e gabuar, sepse vetë mënyra si do funksionojë AMA nuk ka gjë tjetër veçse si e një agjencie censure. Penalitetet edhe në masën financiare janë drastike, të papërballueshme të gazetarëve. Kapacitete e tyre janë të pamjaftueshme. Ka dhe një gjë tjetër të shpërfilljes së lirisë së shprehjes. Mënyra si do merret masa nga AMA dhe kalimi menjëherë te sekuestrimi përmes përmbarimit, patjetër personi i prekur do ta çojë në gjykatë. Shpërfillja për t’iu drejtuar gjykatës është cënim i lirisë”, tha Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa. Ai tha se gazetarët do ti kërkojnë Presidentit që të mos e dekretojë këtë ligj, ndërsa pritet edhe solidariteti i organizatave më të rëndësishme në botë.
Ndërkohë pedagogu dhe aktivisti Erion Kristo ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si një kundërshtar të fjalës së lirë. “Ky ligj nuk ka lidhje me shpifjen, ky ligj ka lidhje me kontrollin e informacionit. Ky ligj do t’i bëjë qytetarët të mos shprehin dot asnjë mendim të lirë. Një shans i vërtetë për t’i mbyllur gojën njerëzve. Edhe në kohërat kur njerëzit e dinin shumë mirë që do të dënoheshin, prapë flisnin. Vetëm ERTV është e drejta, e vërteta dhe jeta. Atij i dhëmb më shumë fjala e lirë e qytetarëve, ai e lyen mirë skenën, por e lyen keq prapaskenën. Aty i dhemb më shumë, se nuk pranon autoritetet tjetër përveç vetes. Do të mbulojë edhe të fundit, fjalën e lirë në mediat online. Thotë që rrjetet sociale nuk i prek, por thotë që do prekë thelbin, portalin. Çdo nen i ligjit është kapje e pushtetit”, tha Kristo.
Në paketën anti-shpifje parashikohet që Autoriteti i Mediave Audiovizive të marrë kompetenca deri në mbylljen e portaleve, nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme, apo shpifje.
Paketa antishpifje është kritikuar edhe nga ndërkombëtarët, të cilët po ashtu, e kanë vlerësuar si pengim të fjalës së lirë.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë shprehur në mbështetje të fjalës së lirë dhe hedhin akuza mbi kreun e qeverisë, pasia sipas tyre kjo paketë ka si qëllim heshtjen e medieve online për të mos publikuar aferat korruptive të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.