Politike

Rama shkarkon bateritë për Antishpifjen

“Turmë që nuk lexon dhe shkelin të drejtat e njeriut”, kjo ishte kryefjala e kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile që protestonin gjatë shqyrtimit të projektligjit Antishpifje.
Në një fjalim që u tejzgjat dhe nisi për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit, duke e lidhur me disa lajme që publikuan për këtë fatkeqësi natyrore e u cilësuan si “fake neës”, Rama e përqendroi tërë “baterinë” e tij kundër atyre që dolën kundër këtij ligji, duke shprehur vendosmërinë se ai do të votohet në Parlament.
“Kjo është një paketë që është konsultuar një vit resht. Unë kam pasur komunikim edhe me ata të BE edhe me ata të KiE dhe i kam thënë që ju nuk e keni lexuar ligjin. Sepse jeni nën presionin e organizatave të rreme. Si organizata e Mero Bazes, se ka dhe Merua një organizatë që e përdor kur i duhet të ngrejë ndonjë çështje të të drejtave të shtypit, sepse e di shumë mirë se kur ata andej shohin që organizata po ankohet, nuk shohin kush është organizata menjëherë ngrihen për të mbrojtur lirinë. Organizata të rreme, false, si profilet false në Facebook. Apo si dikush që në emër të një organizate del te Rai3 pa pikën e turpit dhe flet për burgjet që janë mbushur me gazetarë. Edhe flet për censurën. Të censuruar këtu janë ata që kanë të drejtë dhe që nuk kanë asnjë kapacitet mbrojtës sot dhe nuk është se do kenë ndonjë kapacitet mbrojtjes kur të miratohet ky ligj. Absolutisht jo, por të paktën do kenë një instrument në dispozicion. Gra dhe vajza që hidhen në tezgat e këtyre si prostituta. I bëjnë prostituta këta. Shërbëtorë të shtetit që i bëjnë hajdutë, kusarë, matrapazë dhe oligarkë nga mëngjesi deri në darkë, këta”, deklaroi Rama.

Kryeministri Edi Rama duke folur për paketën Antishpifje në Parlament. Gazeta “Si” 18 dhjetor 2019

Kryeministri nuk ngurroi që të sulmonte disa gazetarë e analistë me emra dhe profesorë që kanë dalë kundër kësaj paketa. Fillimisht, kreu i qeverisë iu përgjigj Artur Zhejit, duke thënë se bëri vajzën e bashkëshortes së tij, Linda Rama, Rea Xhillarin, dashnore të ministrit dhe për këtë humbi në gjyq, pasi sipas Ramës, ishte një shpifje e ulët. Ndërsa për Mark Markun, kryeministri risolli në vëmendje përplasjen e tij mbrëmjen e kaluar me deputetin socialist, Musa Ulqini, duke thënë se Marku shthuri gojën.
“Artur Zheji e bëri vajzën tonë dashnore të ministrit dhe tani thotë që do largohem nga Shqipëria po u bë ligji. Pasi shkoi në gjykatë, humbi dhe gjyqin atje, sepse ishte një shpifje e ulët. Unë me këta jetoj e mbijetoj dhe një mijë vjet të tjera e s’i kam problem fare, por është për shoqërinë. Është për të ndaluar gjithë atë koncentrat helmi që hedhin nga mëngjesi deri në darkë. Një tjetër hero atje jashtë është Mark Marku, që jo më larg se dje nuk la fjalë të ndyrë pa i thënë një deputeti, duke e kërcënuar se do i thyejë shishen në kokë. Ky ligj nuk është për deputetin, që të çojë përpara autoritetit Mark Markun se iu shthur goja në një moment të caktuar, por për të garantuar që publiku të mësojë më shumë mbi atë që thuhet. Nëse një qytetar lexon tërë këto të zeza, ka të drejtën të dijë nëse janë vërtet kështu”, theksoi Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/448158826086200/?t=2


Sipas kryeministrit ky ligj nuk e cenon asnjë fije të drejtën e shprehjes, lirinë e opinioneve, të drejtën për të dhënë lajme nga të gjitha burimet e mundshme, por garanton mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të njerëzve, kur iu cenojnë sipas qejfit. Kryeministri gjithashtu nuk ngurroi të shprehte se ka bindjen që presidenti Ilir Meta do ta kthente mbrapsht një ligj të tillë.


Përplasja me Rudina Hajdarin dhe përmendja e Ditmir Bushatit
Një pjesë e diskutimit të tij kryeministri e kushtoi te opozita, e cila duket si ka dhënë mesazhe të qarta për votë kundër. Ai nuk ngurroi të përmendte disa herë deputeten e opozitës Rudina Hajdari, por edhe zëra kundër brenda mazhorancës, ku përflitej se ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka kërkuar rishikimin e draftit dhe e ka cilësuar në mbledhjen e grupit të PS-së si të nxituar dhe se bie ndesh me parimet e Këshillit të Europës.
“Dëgjoj Rudina Hajdari që flet, harron Rudina Hajdari veten e vet. Ishte vajza e heroit të demokracisë e ngritur ne piedestal sa kohë mendonte siç urdhëronte partia ditën kur mendoi siç mendon vetë e pa vetë se çfarë i bënë. Liri është kjo? Cila liri? Liria për të thënë u shite, për tu thënë more lekë, more leje ndërtimi. Ku? Këto nuk janë liri shprehje. Janë akuza, Për çdo akuzë të tillë kush merr përsipër të shkruajë duhet të japë fakte ose duhet të përballet me atë që akuzon dhe duhet të paguajë për ndëshkimin që këtu në ligj është qesharak në raport me dëmin që bëjnë ata. Ka shumë lajme që e sulmojnë babanë e Ditmir Bushatit dhe çfarë nuk kanë thënë”, theksoi Rama.

Ministret Denaj, Shahini, Balluku dhe Manastarliu në seanën e sotme parlamentare. Gazeta “Si” 18 dhjetor 2019


Pas këtij diskutimi reagimi erdhi nga Rudina Hajdari, e cila kërkoi publikisht që Rama ta tërheqë mbrapsht ligjin dhe të lejonë një javë kohë që ta rishikojnë atë. “Ishim në këtë sallë, kur Rama mu hodh e më tha “Rudinë e more përsipër këtë punë, do kesh sulme”. Pra, nuk ishte për të më mbrojtur, ndërsa sot del në mbrojtjen time, sikur i intereson. Nuk kam nevojë fare të qani hallet e mia, as unë të tuajat, unë qaj hallin e shqiptarëve”, tha Hajdari. Më tej, deputetja Hajdari tha se paketa Antishpifje e çon vendin drejt vende totalitare dhe të lindjes.
“Z.kryeministër, paketa Antishpifje e çon vendin drejt një putinizmi, erdoganizmi, që i kthen supet Europës. Prandaj, ju kërkoj të tërhiqeni, sepse nuk duhet të jetë politika ajo që të kontrollojë mediat sot, në asnjë mënyrë. Ne po kalojmë një proces shumë rigoroz, siç është Reforma në drejtësi dhe duhet ta ruajmë këtë reformë, si të vetmen shpresë për shqiptarët. Z.kryeministër keni akoma kohë të tërhiqeni nga kjo paketë, ta rishikoni edhe njëherë. Vërtet ka ankesa të ndryshime për mënyrë si funksion media sot, kush i financon këto media online, janë disa çështje të nxehta, siç iu i përmendët, si terrorizmi, etj., por nuk është ky ligji. E tha dhe z.kryeministri, që ju nuk dini të lexoni, as BE, as OSBE, asnjë nuk di të lexojë, vetëm ju dini të lexoni. Ju me këtë ligj cenoni të drejtat e individëve”, theksoi Hajdari.

Rudina Hajdari duke folur sot në Parlament. Gazeta “Si”, 18 dhjetor 2019
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2258301641137180/?t=6


Ndërsa kryeministri replikoi sërish duke iu kundërpërgjigjur: “Ngrihesh e më tregon putinizmin dhe erdoganizmin. Kur po të them që nuk ke haberin fare se për çfarë flet.. ky ligj krahasuar me vendet e BE është limonadë. Ndërkohë që flet e mban fjalime për diçka që nuk di je viktima tipike e gjësë për të cilën ligji merr masë. Mos më trego as BE as Këshillin Europian se këtu nuk flas përralla siç flet ti. Po hajde dil këtu e na thuaj hiqni këtë e vini këtë. Ka një vit që jemi marrë me këtë. Ke dalë të na thuash ndonjë ide si politikane e re e Shqipërisë së re?! Ke ndonjë ide të re si bëhet? Hajde na e thuaj.. e folura në hava njësoj si ata tek dera?! Ti je deputete si mund të dalësh e të flasësh në hava. Si qenka kjo që unë shpif gjithë ditën, nga e nxore këtë? Mos ia lejo vetes të bëhesh qesharake”.

Edhe deputeti tjetër i opozitës, Myslim Murrizi i kërkoi mazhorancës që të mos miratonin ligje që i cilësojnë si limonatë, por që ta tërheqin. “Nëse bini dakord që miratoni ligjin gjerman, mos na vini kinezërira ndaj nesh, hajde ta miratojmë në këtë mënyrë. Ligjin Peçe Mark Zheji mos na miratoni se do ju zërë barku me këtë që po ndërmerrni”.

Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla në replikë më Murrizin theksoi se ky është një projektligj që është punuar për tetë muaj dhe varianti i parë ka qenë i ngjashëm me referenca nga Bundestagu gjerman. “Por me rishikimin janë lehtësuar edhe disa qasje edhe në aspektin teknik. E kemi lehtësuar se jemi ende një demokraci e re, i kemi të papërgatitur ata që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri për të vendosur rregullat strikte”, theksoi Balla.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë