Lajme

Vonesat e pagave, Ministria e Financave: Shkak mosparaqitja e sigurimeve

Sot ka pasur raportime në rrjetet sociale lidhur me vonesat në shlyerjen e pagave për punonjësit e sektorit publik.
Vonesa në dhënien e pagave u mësua se kishte për mësuesit, po ashtu të njëjtin shqetësim kanë ndarë dhe punonjësit e QSUT-së.
Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë me anë të një njoftimi në “Facebook”, ka sqaruar vonesat e pagave të disa institucioneve.
Ajo sqaron se kjo ka ardhur për shkak të mosparaqitjes së urdhër-shpenzimeve nga ana e tyre.
“Vonesat e pagesës së pagave të disa institucioneve nuk kanë ardhur si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të Thesarit, por për shkak të mos paraqitjes së urdhër – shpenzimeve nga ana e disa institucioneve”, thotë ministria.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit autorizon pagesën e pagave vetëm nëse shoqërohet së bashku me deklaratën e pagesës së sigurimeve shoqërore.
“Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit është përgjegjëse për realizimin e pagesave në mënyrë të centralizuar, nëpërmjet sistemit informatik financiar të qeverisë. Për të zbatuar këtë detyrë DPTH aprovon shpenzimin në zbatim të kërkesave të kontrollit që burojnë nga aktet ligjore dhe nënligjore. Në zbatim të urdhrit të Ministrit, DPTH autorizon pagesën e pagave, vetëm nëse shoqërohet së bashku me deklaratën e pagesës së sigurimeve shoqërore.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë është angazhuar në terma konkretë, duke realizuar një ndryshim në Udhëzimin e Zbatimit të Buxhetit 2019, përmes së cilit specifikohet se pagesat e sigurimeve shoqërore të institucioneve buxhetore do të kryhen njëkohësisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve si në parashikimin e mëparshëm.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, po në bazë të këtij Udhëzimi, siguron zbatimin me rigorozitet të këtij rregulli të ri që prej muajit Tetor 2019”, sqaron më tej ministria.
Në fund, ministria siguron qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, që çështje të kësaj natyre të mos cënojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e indikatorëve bazë të ekonomisë.

https://www.facebook.com/MinistriaeFinancavedheEkonomise/photos/a.838075402900454/3361182277256408/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë