Lajme

Letër ambasadorëve, Ademi: S’e dorëzojmë Shkodrën, duam komision ndërkombëtar

Kryetarja në detyrë e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi kërkon një komision administrativ evropian për të drejtuar pushtetin vendor të qytetit të saj, duke mos pranuar zgjedhjet e 30 qershorit. Me anë të një letre publike drejtuar ambasadorëve të SHBA-ve, BE-së, OSBE-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Austrisë dhe Zvicrës, Ademi ka bërë të ditur se nuk do të pranojë që të dorëzojnë Shkodrën, pasi mbi 80% për qind e qytetarëve nuk morën pjesë në votimet e 30 qershorit.
“Sot, në 2019- ën nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%- ësh! Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën! Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision Administrativ Europian, besimplotë tek vullneti i tyre demokratik, derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese! Për ketë, në emër të shoqatës së Bashkive të Shqipërisë ju kërkoj publikisht Ju, të takohemi për të biseduar mbi këtë situatë të pazakontë, me shpresën që do të bëheni garant i vullnetit qytetar!”, shkruan Ademi letrën e saj.
Kryebashkiakja në detyrë shprehet gjithashtu se qeveria vendosi dhunshëm të konsumojë farsën e 30 qershorit, duke rrëzuar dekretin e Presidentit, fakt ky që u pohua zyrtarisht e qartë nga OSBE/ODIHR që në raportin paraprak!
“Në votime në Shkodër, sipas kësaj organizate dolën 8% e qytetarëve me të drejtë vote! Mbi shumë prej tyre, pati presione të çdo lloj forme që të paraqiteshin për të votuar, duke shkelur çdo princip të lirive të individit! Me modesti pohoj se, në dijet e mia, demokraci do të thotë vullnet i shumicës! “, shprehet kryebashkiakja.

Kryebashkiakja Ademi me vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, OSBE/ODIHR

Ajo paralajmëron mos lëshim të bashkisë, duke kujtuar se Shkodra ka qenë një nga qytetet që ka refuzuar vendosjen e diktaturës. “Kthehem me trishtim të thellë tek realiteti në qytetin tim, i cili nuk e pranon dot manipulimin, dhunën e imponimit kriminal e politik për t’i emëruar nga lart kryetarin e Bashkisë! Qytetarët shkodranë kanë sakrifikuar shumë për demokraci e pluralizëm duke çuar në altarin e kombit dëshmorët e vet! Ata nuk e pranojnë kthimin pas në një neodiktaurë! Ata e dinë mirë, e në të drejtën e tyre është një proces i lirë dhe i ndershëm elektoral, ku për votën e tyre, vendos vullneti i lirë dhe jo kërcënimi i krimit të organizuar! Shkodra nuk e pranon komisarin politik të Kryeministrit! Ne si qytet, jemi përballur me totalitarizmin dhe dialektika na ka dhënë të drejtë, ka fituar demokracia!”, shprehet Ademi.
Kryetarja e bashkisë së Shkodrës u vu në qendër të vëmendjes para zgjedhjeve të 30 qershorit, pasi nuk pranoi që shkollat që administratoren prej saj të ishin Qendra e Votimit të zgjedhjeve.
Madje ajo kyçi pjesën më të madhe të shkollave, duke deklaruar se ky hap ndërmerrej për faktin se presidenti ka nxjerrë një dekret që ka anuluar datën 30 qershor. Kjo shërbeu që policia dhe mbështetësit e PS-së, t’i hapnin me forcë dyert e disa shkollava, ndërsa bënë padi penale ndaj kryebashkiakes Ademi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë