Politike

Voltana Ademi flet ende si kryetare e shoqatës: Presim vendimin e Kushtetueses për zgjedhjet e 2019-s

Voltana Ademi nuk njeh mbledhjen e Asamblesë së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe as vendimin e kësaj asambleje për ta shkarkuar atë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiakja e Shkodrës ka reaguar duke akuzuar se eksponentë të Partisë Socialiste tentuan të dëmtojnë demokracinë përmes një përpjekje për të kapur në mënyrë të paligjshme shoqatën, për të cilën pretendon se është ende kryetare.

“Veprime te ndërmarra nga eksponentë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cenon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore”, thuhet në reagim.

Ademi këmbëngul se e gjithë lëvizja është për t’u tërhequr nga padia e bërë në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet vendore të 2019-s.

“Shqyrtimi dhe vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, është një ndër 15 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën”, thotë ajo.

“Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, mbyll kryebashkiakja e Shkodrës reagimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë