Politike

Vokshi: Xhaçka harxhoi 10 mije euro për të shkuar në një takim elektoral

Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ishte të martën para ministrisë së Mbrojtjes për të denoncuar sipas saj shpenzimet e ministres Olta Xhaçka për qëllime elektorale.   

“Të premten është verifikuar një veprim që ajo e ka bërë shpesh, që kur është deleguar si drejtuese e qarkut në Dibër për Partinë Socialiste. Olta Xhaçka ka përdorur privatisht helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për fushatën e partisë në pushtet.

Punët personale partiake i kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve. Udhëtimi me helikopter vajtje-ardhje nga Tirana në Peshkopi, kushton 10 mijë euro.

Për të bërë fushatën e Partisë Socialiste, ajo ka futur duart në xhepin e secilit prej jush për të udhëtuar me helikopter nga Tirana në Peshkopi për disa takime partie.

Gjatë këtyre orëve, pasi është publikuar video nga kolegu Xhemal Gjunkshi, janë me mijëra mesazhet e qytetarëve, që shprehin tronditjen për këtë vjedhje të hapur dhe këtë arrogancë të pafalshme të shpërdorimit të pushtetit”, tha Vokshi e cila pret një reagim zyrtar nga ministria e Mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë