Politike

Vokshi: Rama pastron paratë e drogës tek Teatri

Në seancën parlamentare të së enjtes, Partia Demokratike këmbënguli se projektligji për Teatrin Kombëtar ishte antikushtetues dhe shkelte të paktën tre ligje të tjera. Por, pavarësisht akuzave të opozitës, pas 12 orëve seancë mazhoranca e votoi dhe ai që ishte një projektligj u shndërrua në një ligj, që ndodhet në tavolinën e Presidentit Ilir Meta për vulën përfundimtare.

PD dhe një pjesa e artistëve që kundërshtojnë shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar thonë me vendosmëri se do të rezistojnë me çdo mjet kundër vendimit të marrë nga Parlamentit, ndërsa të shtunën, deputetja Albana Vokshi doli me një deklaratë, ku akuzoi Kryeministrin se po përdor kompaninë private që do të zbatojë projektin për të pastruar paratë e drogës.

“Edi Rama përdor Fusha Sh.P.K si kompani guackë për të pastruar paratë e pista të drogës dhe korrupsionit tek 6 kullat, 3 prej të cilave janë parashikuar të ndërtohen në territorin e Teatrit Kombëtar. Pastrimi i Parave të Pista të drogës dhe korrupsionit është arsyeja e vetme për nxitimin e Edi Ramës për të miratuar brenda 5 ditësh me procedurë të përshpejtuar, në shkelje të Rregullores, të 4 ligjeve në fuqi dhe të Kushtetuës një ligj të personalizuar me emrin e kompanisë Fusha”, tha Vokshi.

PD e quan akt mafioz dhe thotë se nga kjo skemë, Edi Rama përfiton minimalisht 205 milionë euro. Vokshi akuzoi edhe kompaninë në fjalë se është përdorur dhe favorizuar nga Kryeministri ndër vite, madje duke kryer punime në të zezë edhe në godinën e Qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë