Dosje

Vrasja në derën e shtëpisë së vëllait të një prej viktimave në “masakrën e Çoles”. Zinxhiri i atentateve nga 2015 në Vlorë

Pas atentateve të fundit, Vlora është tronditur sërish nga një tjetër vrasje me armë zjarri. Pesë minuta para mesnatës së të mërkurës, është ekzekutuar në brendësi të pallatit të tij në lagjen “24 maji”, Shkëlzen Velaj, 42 vjeç.

Ai është qëlluar në katin e pestë të pallatit ku banonte me një breshëri kallashnikovi dhe si pasojë ka humbur jetën në spital.

Si ndodhi ngjarja

Sipas informacioneve paraprake, viktima po kthehej në shtëpi, kur ka vënë re se pranë pallatit ka qenë duke u ndjekur nga një makinë e dyshimtë.

Velaj e ka lënë makinën e tij të ndezur dhe ka ikur me vrap për t’u futur në banesë në katin e 5 të pallatit, por kur ka qenë duke hapur derën, atentatori ka lëshuar një breshëri plumbash në drejtim të tij.

Autorët janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorës, në afërsi të fshatit Risili pranë “bay passit”, ku kanë braktisur makinën tip BMW pa targa dhe e kanë djegur, ndërsa janë larguar në drejtim të paditur.

Vëllai i viktimës mbeti i vrarë në masakrën e Çoles

Ardi alias Ferdinand Velaj, i mbetur i vrarë në masakrën e Çoles, në 7 prill 2015 në Vlorë.

Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velajt, i mbetur i vrarë në atë që u quajt masakra e Çoles, ngjarje e ndodhur në 7 prill të  2015-ës në Vlorë. Përveç tij, në ngjarjen e rëndë mbeti i vrarë edhe Akil Hasanaj dhe Albi Limaj. Gjithçka nisi mbrëmjen e 6 prillit të vitit 2015, nr një kazino në qendër të qytetit bregdetar.

Fillmisht në sherr u përfshinë Akil Hasanaj (Haki Rakipaj) dhe Ardi Velaj, të cilët kanë ofenduar dhe dhunuar Xhuliano Lutajn. Ky i fundit ka kërkuar ndihmë dhe ka vënë në dijeni shokun e tij, Albi Limaj.

Limaj lajmëroi Aleksandër Llanajn dhe të rinjtë e lanë që të nesërmen të sqarohen në një lokal në lagjen “Çole”. Në kohën kur janë takuar, ata kanë nxjerrë armët, duke qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit. Si pasojë e plumbave mbetën vrarë tre persona, Ardi Velaj, Akil Hasanaj (Haki Rakipaj) dhe Albi Limaj.

Në pranga u vunë Aleksandër Llanaj, Bertil Aliaj dhe Ani Begaj. Llanaj ndodhet pas hekurave bashkë me dy të tjerët. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Aliaj dhe Begaj kanë marrë nga 35 vite burg secili.

Kështu, si pistë hetimi e vrasjes së mbrëmshme, mund të jetë edhe ngjarja e ndodhur para 6 vjetësh, ku zinxhiri i hakmarrjeve ka shkaktuar disa viktima deri më sot.

7 të rinjtë të përfshirë në "masakrën e Çoles"

Haki Rakipaj (Akil Hasanaj), 29 vjeç, banues në Vlorë, i vrarë.

Ardi Velaj, 27 vjeç, banues në Vlorë, i vrarë.

Albi Arjan Limaj, 21 vjeç, nga Vlora, humbi jetën rrugës për në spital.

Aleksandër Llanaj, 23 vjeç, banues në Vlorë, i plagosur.

Bertil Alliaj, 23 vjeç, banues në Vlorë, i arrestuar.

Xhuliano Lutaj, 21 vjeç banues në Vlorë, i lënë i lirë.

Ani Begaj, 19 vjeç, banues në Vlorë, i arrestuar.

Masakra e Çoles, zinxhiri i vrasjeve nga viti 2015 e deri më sot

Ashtu siç pritej, ato vrasje ndezën një seri atentatesh për hakmarrje. Një zënkë adoleshentësh pas një feste ditëlindjeje, përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur dhe tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet. Për këtë ngjarje u akuzuan dhe dënuan Ferdinand Llanaj, me burgim të përjetshëm, si edhe Bertil Aliaj e Ani Begaj me nga 35 vjet burgim.

Procesi gjyqësor ndaj tyre u shoqërua me polemika të shumta. Pasi Gjykata e Shkallës së parë dhe e Apelit të Vlorës kishte dhënë dënimet maksimale për tre të akuzuarit, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë gjykimit në Gjykatën e Lartë, kërkoi të tërhiqej nga akuzat.

Familjarët e viktimave reaguan ashpër për zbutjen e akuzave në Gjykatën e Lartë, gjë e cila detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të asaj kohe të zëvendësonte prokurorin e çështjes. Pas zëvendësimit të tij, prokuroria u përfaqësua nga Drejtori i Hetimit, Adnan Xholi, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimeve të shkallëve më të ulëta.

Më pas, Gjykata e Lartë konfirmoi dënimet e rënda për Llanajn, Aliajn dhe Begajn. Ky episod është shoqëruar me të tjera ngjarje të përgjakshme. Në maj 2017, vritet në qendër të Vlorës biznesmeni dhe pronari i “TV Vlora”, Erven Hyseni. Në atë atentat vritet në mënyrë aksidentale edhe drejtori i OSSHE-së për rajonin e Vlorës, Roland Saliu.

Tre viktimat në "masakrën e Çoles": Albi Limaj (majtas), Alfred Velaj (në mes) dhe Hasan Rakipaj

Atentati dyshohet se u krye për shkak se Hyseni, i afërm me një prej viktimave në “masakrën e Çoles”, Haki Rakipaj, përdorte televizionin e tij për të goditur Llanajt. Ky version nuk u provua, megjithëse dyshimet janë të forta për këtë linjë.

Rreth 4 muaj më pas, në tetor 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e rrugës Transballkanike, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Ferdinand Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë, Aleksandër Llanaj. Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8-vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj.

Një prej personave të dyshuar për këtë ngjarje, është   Armando Sulejmani (Çipuri). Ndaj tij, Gjykata e Vlorës kishte nxjerrë masë sigurimi “arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Në verën e vitit 2018, një i ri nga Vlora, Albano Xhaferraj rrëmbehet në qytetin e Vlorës dhe prej tij nuk ka më asnjë gjurmë.

Një person, i cili konsiderohet si “i penduar” i drejtësisë, ka pretenduar se Albano Xhaferraj është rrëmbyer dhe vrarë nga disa persona, bashkëpunëtorë të një tjetër emri të njohur të botës së krimit në Vlorë, Edison Harizaj.

Sipas këtij “dëshmitari” Albano Xhaferraj, është rrëmbyer dhe më pas vrarë, për shkak se ka qenë dëshmitar dhe ka njohur atentatorët e plagosjes së Ferdinand Llanajt. Edhe ky version, ende nuk është zyrtarizuar nga institucionet hetimore.

Pak muaj pas këtij episodi, në nëntor 2018, vritet në periferi të Durrësit, Edison Harizaj dhe miku i tij, Gent Caci. Ata gjendeshin në bordin e një makine tip “Audi A8”, kur dy makina u kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar për vdekje. Ngjarja e Durrësit vijon të jetë pa autor, pavarësisht se policia ngriti dyshimet e para dhe më të forta tek hakmarrja e Llanajve.

Më 14 janar të vitit 2019 plagoset Mikel Mehmetaj. Ai njihej për lidhje me fisin Llanaj. Sërish policia gjeti vetëm një automjet të djegur.  Burimet nga policia, dyshojnë se atentati ka lidhje me serinë e vrasjeve të nisur në vitin 2015.

Armando Sulejmani, i njohur si "Çipuri" dhe vendi ku iu bë atentat para dy vjetësh në Vlorë

Mesditën e të dielës në datën 17 shkurt 2019, plagoset në atentat, nga persona ende të paidentifikuar, Armando Sulejmani (Çipuri), i dyshuari kryesor për plagosjen e Ferdinand Llanajt dhe të birit të tij të mitur.

Dy miqtë e Çipurit, Arjan Hasani dhe Orest Hoxha, mbetën të vdekur, ndërsa Sulejmanin, të cilin policia e kishte shpallur në kërkim, e gjetën kundërshtarët e tij.

Arsyeja e zënkës banale mes të rinjve në prillin e vitit 2015, tani është harruar, por pasojat e serisë së vrasjeve për hakmarrje, që la pas ai konflikt në një sallë bastesh, po vijon të prodhojë viktima në qytetin e Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë