Ngjarje

Fjalët e mira të fqinjëve, kamerat në pallat dhe pistat e hetimit, çfarë dimë për ngjarjen në Vlorë

Vrasja pak para mesnatës në Vlorë, ku u ekzekutua Shkëlzen Velaj, ka shkaktuar panik dhe tronditje te banorët e pallatit ku ndodhi ngjarja.

Fqinja e familjes Velai në lagjen “24 Maji”, tregon se nëna e Shkëlzenit e gjeti djalin të rënë pas dere, por nuk e mori vesh menjëherë ai kishte ndërruar jetë në spital.

"Ishte në shtëpi dhe djali i kishte thënë nënës së tij ‘hape derën’. Sa shkova të hap derën tha, dëgjova zhurmë dhe nuk e hapja dot nga frika. Sa e hapa, e gjeta djalin në derë", - tregon fqinja për bisedën me nënën e viktimës.

Një nga fqinjët e pallatit, ku ndodhi vrasja në Vlorë, duke folur për mediat

Një tjetër fqinj thotë se 42-vjeçari ishte korrekt me banorët e tjerë dhe kujdesej edhe për infrastrukturën në lagje. "Nuk kishe fare probleme për pallatin, interesohej dhe për shtrimin e rrugëve. Ai e ka shtruar rrugën këtu. Njeri shumë i rregullt për ne. Grua më të mirë në botë nuk gjen se nëna e tij. Fatkeqësi e madhe".

Burime policore shprehen se pranë banesës së Velajt ka pasur kamera sigurie, çka tregon se personi në fjalë i druhej një atentati të mundshëm.

Hetuesit shpresojnë që kamerat të kenë fiksuar ngjarjen, ndonëse dyshohet se autorët kanë qenë të maskuar. Velaj jetonte në banesë vetëm me nënën e tij dhe ka qenë ajo që ka lajmëruar policinë. Në dëshminë e saj të parë, ajo ka pohuar se nuk ka mundur t’i shohë autorët.

Ngjarja po hetohet në dy pista, së pari për hakmarrje në lidhje me zinxhirin e vrasjeve për masakrën e Çoles në vitin 2015, ku humbi jetën i vëllai, por edhe për drogë, pasi viktima dyshohet se ishte aktiv edhe në tregun e narkotikëve në Vlorë.

Në vitin 2019, së bashku me 6 të tjerë, ai u arrestua nga Policia e Vlorës në operacionin e quajtur “Vjeshta”. Mendohet se më parë, ai ka ndryshuar edhe emrin, nga Shkëlzen, në Altin për shkak të mosmarrëveshjeve me ligjin.

Vetëm gjashtë vite më parë 42-vjeçarit i kanë vrarë të vëllanë, Ardi Velaj, në të ashtuquajturën masakra e Çoles, ku pas një konflikti me armë zjarri humbën jetën tre të rinj.

Ndërkohë, viktima ka edhe një vëlla tjetër, i cili jeton në Itali. Si ndodhi ngjarja? Shkëlzen Velaj ka qenë duke u kthyer në banesë pak para mesnatës. Përgjatë gjithë rrugës së kthimit, ka pikasur një automjet që po e ndiqte.

Ai është futur tek kthesa e shtëpisë së tij, një segment ku nuk lëvizin shumë makina në atë orë. Kur ka parë një automjet tip "BMW" që po e ndiqte, ka dalë me vrap duke lënë automjetin "Renault Clio" të ndezur.

Ai është larguar me shpejtësi në drejtim të shtëpisë, por autori/ët  e ka ndjekur me vrap nëpër shkallë dhe pak metra pranë banesës së tij e kanë qëlluar afro 30 herë duke e ekzekutuar me kallashnikov. Autorët janë larguar me shpejtësi me mjetin tip "BMW" ku i kanë vënë edhe flakën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë