Ka ndodhur

Video/ Arrestohet pas një ndjekjeje Ani Begaj, i dënuar me 35 vite burg në mungesë për masakrën e Çoles

Gazeta Si - Ani Begaj, i dënuar me 35 vite burg në mungesë për të ashtuquajturën masakra e Çoles në Vlorë, është arrestuar këtë të enjte rastësisht.

I riu, i cili ishte shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes së dyfishtë, është prangosur së bashku me Elton Begajn, i cili dyshohet të jetë vëllai i tij.

Të dy të arrestuarit, që ishin duke lëvizur me një automjet tip “Nissan”, nuk i kanë ndaluar policisë në Lungomare.

Kanë qenë grupet e policisë së Vlorës që kanë marrë njoftim se disa të rinj në lagjen “Pavarësia” ishin duke u konfliktuar me njëri-tjetrin.

Dy të rinjtë e armatosur nuk i janë përgjigjur thirrjes se policisë që të dorëzoheshin dhe janë larguar.

Ata i janë vënë në ndjekje dhe i kanë arrestuar në afërsi të Plazhit të Vjetër, ku kanë sekuestruar edhe armët e zjarrit tip pistoletë.

Ani Begaj, edhe pse i shpallur në kërkim nga policia, me sa duket lëvizte lirshëm dhe i armatosur.

Ai është një nga personat e përfshirë në masakrën e Çoles në vitin 2015 dhe është dënuar me 35 vjet burg në mungesë për vrasje të dyfishtë.

Begaj, edhe pse një ndër autorët kryesorë të masakrës së Çoles në prill 2015, nuk u arrestua asnjëherë, pasi dyshohet u arratis në Greqi dhe se kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri.

Para 7 vjetësh, pas një sherri që nisi në kazino, konflikti vijoi në një lokal, ku mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.

Prokuroria akuzoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj.

Gjatë seancave të gjata në Shkallën e Parë, atë të Apelit dhe Gjykatën e Lartë, përfundimisht u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj. Ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.

Masakra e Çoles, e cila nisi si një sherr banal, krijoi për vite të tëra në Vlorë një zinxhir vrasjesh mafioze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë