Rend dhe Ligj

Vlorë, tritol banesës së peshkatarit të vrarë 3 vjet më parë

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Vlorës mbrëmjen e sotmee. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen “Çole”, në katin e dytë të një pallati dhe dyshohet se është shkaktuar nga vendosja e një sasie lënde plasëse, tritol.

Në banesën ku ka ndodhur shpërthimi, jetonte bashkëshortja e të ndjerit, Hyqmet Nexhipi, i cili u ekzekutua dy vite më parë në Vlorë.

Policia e Vlorës ka sqaruar për mediat se bashkëshortja e të ndjerit është vendosur në këtë banesë disa javë më parë dhese jeton me qira. Forca të shumta policore mbërritën në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet.

Por kush është Hyqmet Nexhipi i ekzekutuar më pak se tre vjet më parë? Në Vlorë ai njihej si pronari i peshkarexhës “Drita” dhe është ekzekutuar me breshëri automatiku mëngjesin e 23 janarit 2016 në vendin e quajtur “Karburant Vola” në rrugën “Transballkanike”.

52-vjeçari banues në Vlorë drejtonte automjetin tip “Honda”, me targë JBM3221, brenda së cilës janë gjendur 2 gëzhoja automatiku, model 56.

Viktima njihej edhe me emrin Pëllumb Nexhipi dhe ishte i divorcuar nga bashkëshortja, së cilës i vendosën sot tritolin në banesë. Policia asokohe dyshoi se ai u vra për larje hesapesh, pasi rezulton me precedentë për shfrytëzim prostitucioni në Itali dhe kishte dalë nga burgu në 2013.

Asokohe policia e Vlorës, dy ditë pas vrasjes së Hyqmet Nexhipit, arrestoi djalin e tij 24-vjeçar Olsi Nexhipi, i cili jetonte me të ëmën, pasi në shtëpi iu gjet drogë dhe armë.

Ndërkohë vrasja e 52-vjeçarit u zbardh nga Policia e Vlorës më 1 qershor 2016 dhe në pranga ra Flobenc Gega, 34 vjeç, lindur në Shkodër, banues në Tiranë, ndërkohë që u shpall në kërkim Deison Nallbani, 30 vjeç, banues në Vlorë.

“Nga kryerja e veprimeve hetimore e procedurale, Deison Nallbani rezulton të jetë autori i vrasjes së 53-vjeçarit Hyqmet Nexhipi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e datës 23 janar 2016, në lagjen “Pavarësia”, - njoftonte asokohe policia. - Personat e lartpërmendur e kanë ekzekutuar Nexhpin me armë zjarri “automatik”. Arrestimi i shtetasit Flobenc Gega, u bë, pasi gjatë hetimeve të kryera, ky shtetas është identifikuar si personi që ka siguruar kushtet dhe mjetet për kryerjen e kësaj vrasjeje”.

Flobenc Gega, person me precedent penal, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Gjermane për “Grabitje” dhe “Plagosje”. Gjithashtu, i dënuar nga autoritetet Belge dhe Italiane për “Pjesëmarrje në organizatat kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve, prostitucionit, vrasjeve dhe për kryerjen e 180 grabitjeve me dhunë dhe armë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë