Ka ndodhur

Dështon grabitja e argjendarisë në Vlorë, autori kapet sapo del nga dyqani

Grabitja e një argjendarie me armë zjarri në mes të Vlorës ka dështuar falë ndërhyrjes së policisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:05 në rrugën “Isa Boletini” në afërsi të Bulevardit të qytetit bregdetar. Policia ka arrestuar një 18-vjeçar, si autorin e dyshuar të tentativës së grabitjes, Martin Kapllanaj.

Adoleshenti, nën kërcënimin e armës së zjarrit, ka detyruar të shtrijë në tokë pronaren e dyqanit dhe ka marrë prej andej një çantë me bizhuteri. Fillimisht autori ka qëlluar 2-3 herë me plumba manovër në ajër duke trembur banorët në zonë.

Policia, e cila ndodhej në zonë për shkak se në shkollën "Ismali Qemali" ndodhen KZAZ për numërimin e votave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare, ka ndërhyrë direkt, duke bërë të mundur që autori të arrestohet pas pallateve ku ndodhej dyqani.

18-vjeçari, gjatë ndjekjes nga policia, ka hedhur në tokë pranë vendit të ngjarjes “shootgun”-in dhe çantën me florinj. Pronarja e argjendarisë është shprehur se nuk e ka parë momentin kur ai ka hyrë në dyqan, pasi ka qenë e frikësuar. Policia ka vendosur perimetrin e sigurisë në vendin e ngjarjes dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë