Futboll

Vllaznia “vatër” e Covid, 4 futbollistë të tjerë dhe 1 nga stafi dalin pozitivë

Ethet e Covid-19 kanë pushtuar Vllazninë, ku rastet e të infektuarve duket se po shtohen. Erdenis Gurishta, Eni Imami, Uheid Hoxha dhe zv trajneri Elvis Plori, rezultuan pozitivë disa ditë më parë dhe u izoluan sipas rregullores, por tashmë virusi është përhapur në skuadrën shkodrane. Ndërkohë, për fat të mirë Imami, Gurishta dhe Marku ia kanë dalë ta kalojnë virusin e rrezikshëm dhe mund të jenë në dispozicion të trajnerit Tomas Bërdariç. Por, në testimet e fundit që ka zhvilluar Vllaznia ka sjellë sërish panik në klub, ku kanë rezultuar katër futbollistë me COVID-19.

Edhe lojtarët e tjerë, Viktor Da Silva, Ismael Dunga, Mevlan Adili dhe Kristofer Mandiangu, sipas medieve lokale kanë rezultuar pozitiv, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Po ashtu, bëhet me dije se edhe lojtarë të tjerë kanë bërë tamponin, pasi dyshohet se janë prekur nga Koronavirusi. Sakaq, përveç lojtarëve, është infektuar edhe shoferi i autobusit të Vllaznisë.

Gurishta ishte rasti i dytë i Covid-19 në futbollin shqiptar, pas Eridon Qardakut. Drejtuesit e klubit kanë lajmëruar menjëherë autoritetet shëndetësore, ndërsa lojtarët kanë nisur karantinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë