Futboll

Vllaznia ra! Rroftë Vllaznia!

Mbreti vdiq! Rroftë Mbreti! Në Mesjetë, sa herë që jepej lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të monarkut, brohoriteshin këto fjalë për të treguar vazhdimësinë e shtetit. Vllaznia ra! Rroftë Vllaznia! Në Korçë, të gjithë tifozët, edhe ata të Skënderbeut brohoritën mes lotëve të lojtarëve shkodranë Vllazni! Vllazni!

Ajo që ndodhi të mërkurën ishte epilogu i një ngjarjeje të paralajmëruar jo këtë sezon, por  vitesh tashmë. Pikërisht para shtatë viteve, Bashkia e Shkodrës mori pronësinë e skuadrës së futbollit. Keqmenaxhimi pasoi ndër vite dhe këtë sezon i vuri kapakun duke rrëzuar përtokë pas 57 sezonesh, jo një skuadër, por krenarinë e një qyteti të tërë.

“Çfarë kemi mbjellë tash 7 vite, kemi korrur këtë vit. Vonoi, por erdhi kjo ditë e zezë. Prej 7 vitesh, Vllaznia është kthyer në një ekip partie, një ekip politike në Shkodër, që kush pa pasur nevojë për të e ka përdorur si ka dashur. E kanë marrë, e kanë lënë, kanë bërë çfarë kanë dashur. Ata që drejtojnë Vllazninë nuk e dinë se çfarë drejtojnë realisht. Kujtojnë se është komunalja, apo ndonjë ndërmarrje e bordit të kullimit, ose ku di unë se me çfarë e ngatërrojnë. Nuk e dinë se gjithë ndërmarrjet që kanë bashkë nuk e zëvendësojnë kurrë emrin e Vllaznisë”, komentonte për Panorama Sport, jo pak i nervozuar ish-sulmuesi i Vllaznisë, Edi Martini.

Ish-goleadori shkodran, fill pas javës së parafundit kishte shprehur shqetësimin se Partizani do të luante politikisht kundër Vllaznisë dhe pas ndeshjes është i bindur për këtë.

“Bota është e rrumbullakët o F.K. Partizani! Jeta vazhdon”, ishte reagimi i tij i shkurtër pas fitores së Kamzës ndaj “Demave të Kuq”.

Nga një prej ndeshjeve mes Vllaznisë dhe Kukësit

Megjithatë, renditja përfundimtare e Kategorisë Superiore nuk ishte produkt e pasqyrim vetëm i asaj që dhanë në fushë skuadrat, por edhe i vendime të dyshimta të gjyqtarëve. Një prej më të bujshmëve është ndeshja ndaj Kukësit e luajtur në muajin mars. Vllaznia humbi 2-0, e ndoshta sërish do të kishte humbur, por një karton i kuq i kontestuar nga shkodranët dhe disa vendime të tjera të gjyqtarit Hamitaj shkaktuan jo pak polemika më vonë, aq sa në Shkodër u shpall “non grata”.

Pikërisht në këtë muaj do të bëhej e qartë se lufta për mbijetesë do të zhvillohej mes Teutës, Kamzës dhe Vllaznisë dhe Xhelal Mziu, kryetari i Bashkisë së Kamzës e kishte kuptuar këtë. Ai deklaronte në studiot televizive në ato ditë se ndaj skuadrës së tij po komplotohej me qëllim shpëtimin e Vllaznisë dhe Teutës.

Një javë nga fundi, pikët në tabelën e renditjes përcaktuan se njëra mes Kamzës e Vllaznisë duhej t’i bashkohej Lushnjes së rënë prej kohësh. Shkodranët luanin ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut në Korçë, ndërsa Kamza përballë Partizanit në transfertë. Si Skënderbeu, ashtu edhe Partizani i kishin mbyllur hesapet me kampionatin, të parët ishin shpallur kampionë dhe të dytët jashtë kupave të Europës, por me shpresën se do të hyjnë në rast se CAS lë në fuqi vendimin e UEFA-s që ndëshkon korçarët.

Xhelal Mziu u bë sërish protagonist, kur tha se ndeshja në Korçë ishte e paravendosur që do ta fitonte Vllaznia, madje edhe me goleadë, që të tejkalonte Kamzën në rast barazimi me Partizanin falë golavarazhit më të mirë.

Por, rregulli i golavarazhit nuk hyri në punë. Kamza fitoi ndaj Partizanit, një gol që shpërtheu lot gëzimi në Tiranë dhe hidhërimi në Korçë. Nga Shkodra nisën zërat që akuzonin Partizanin për mosrespektim të garës sportive, por edhe këto akuza ishin me gjysmë zëri, pasi të gjithë e kishin të qartë se po për mosrespektim të garës sportive nga ana e Skënderbeut erdhi ai rezultat i Vllaznisë në Korçë.

“Skuadrat u renditën siç merituan në 36 javë. Gjërat nuk ndodhin as në javën e parë, as në javën e fundit. Keqardhje për Vllazninë, siç ishte sezonin e kaluar për Tiranën, por ky është futbolli. Le ta shohë Vllaznia si ndryshim për të ardhmen, për t’u rikthyer më fuqishëm në Kategorinë Superiore”, deklaronte për Top Channel, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Kampionati u mbyll, por hijet e dyshimit tek shumë sportdashës dhe ata ndjekës mesatarisht të rregullt të kampionatit shqiptar nuk u larguan as këtë sezon. Vendimet, keq a mirë u dhanë dhe Vllaznisë nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të ndjekë rrugën që më herët ndoqi Partizani e më pas Tirana për t’u rikthyer mes më të mirave, me shpresën që nuk do të shndërrohet në një Dinamo, që nuk dihet se ku “ka humbur”.

E sigurtë është që Vllaznia do të rikthehet një ditë për tifozët e saj dhe për të gjithë futbollin shqiptar, por në histori do të mbetet njolla e festimit të 100-vjetorit të themelimit në Kategorinë e Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë