Futboll

Vllaznia qëndron në Superiore, rimëkëmbja nis nga drejtori sportiv kroat

Vllaznia siguroi qëndrimin në Kategorinë Superiore pa vështirësi. Skuadra e trajnerit Hysen Dedja mundi 3-1 Besëlidhjen në ndeshjen shtesë të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, duke siguruar kështu pjesëmarrjen edhe për sezonin e ardhshëm mes më të mirëve të futbollit shqiptar.  

Pask këtij çlirimi, te klubi shkodran kanë nisur nga puna, për të krijuar një ekip të fortë për sezonin e ardhshëm. Alban Xhaferi, sponsor i Vllaznisë pas përfundimit të ndeshjes u shpreh se Vllaznia do të ketë një drejtor sportiv të huaj. “Dua të falënderoj gjithë çunat që kanë pasur një impenjim maksimal në këto tre ditë. Unë u premtoj atyre që ky është një fillim i ri dhe Vllaznia e madhe do kthehet aty ku e ka vendin, në majat e futbollit shqiptar. Gjatë kësaj kohe kemi qenë në fazën e vlerësimeve. Duhet të jap një lajm të mirë. Do jetë i huaj drejtori sportiv, e njeh shumë kampionatin. Nesër dalim me njoftim zyrtar’’

Mësohet se pikërisht drejtoi i ri sportiv do të jetë Matko Djarmati, i cili e njeh mjaft mirë Shqipërinë. Ish-mesfushori i Skënderbeut, Dinamos e Besës së Kavajës është ambientuar me vendin tonë, teksa kohët e fundit punon si opinionist në emisionet sportive. Tani do të ketë një rol të ri: të ringrejë Vllazninë në majën e futbollit tonë, të mos luajë për të shmangur rënien nga kategoria, por të luftojë për një vend në Europa League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë