Futboll

Vllaznia prezanton Djarmatin, Lici: Nuk do jem “kukull” në klub

Vllaznia ka prezantuar sot në një konferencë për shtyp drejtorin e ri sportiv, kroatin Matko Djarmati, i cili konsiderohet një nga hapat e parë të rëndësishëm për ringritjen e klubit shkodran nga presidenti i ri, Alban Xhaferi. Në praninë e këtij të fundit dhe administratorit Suad Lici, Djarmati ka treguar pse zgjodhi Vllazninë.

“E di shumë mirë se ku kam ardhur. Vllaznia është një klub i madh dhe këto tri ditë që jam këtu e kam ndierë këtë. Rijeka, ekipi kroat që Vllaznia ka nisur një bashkëpunim, më propozoi të vija këtu, nuk kam ardhur me një klan shqiptar. Bashkëpunimin me Rijekën nuk e përfunduam siç dëshironim, pasi drejtori i tyre sportiv kishte një problem familjar. Do të përfitojmë nga përvoja e një skuadre që shkon gjithmonë në Kupat e Europës. Me licencën UEFA PRO që kam, me sa di, e mbuloj postin e drejtorit sportiv. Në fund të vitit do ketë kurs nga Federata për drejtor teknik dhe do të shkoj”, - tha Djarmati në prezantim.

Vllaznia feston një gol ndaj Besëlidhjes në ndeshjen shtesë. Gazeta Si, 7 gusht 2020

Në konferencë foli edhe administratori Suad Lici, i cili te Vllaznia është përfaqësuesi i bashkisë. Me projektin e ri, mbetet për t’u parë pozicioni i tij, por vetë Lici e ka thënë qartë se nuk do të jetë një “kukull” në klub. “Nuk jam aspak xheloz, sepse gjithçka po bëhet për të mirën e Vllaznisë. Kam pozicionin tim në klub dhe nuk do të jem një “kukull”. Ndoshta “kukull” mund të jetë dikush tjetër, unë jo”, - theksoi Lici në fjalën e tij.

Presidenti Xhaferi dhe stafi i tij kanë zgjedhur kroatin Tomas Bërdariç si trajner të ri të Vllaznisë. Prezantimi i tij nuk është bërë ende, por 45-vjeçari, ish-sulmues i Bajer Leverkusenit, ndodhet në Shkodër prej ditësh. Po ashtu, presidenti Xhaferi ka menduar që të afrojë në këshillin mbikëqyrës të klubit dy emra të shquar të futbollit shkodran, Astrit Hafizi dhe Ramazan Rragamin. Një revolucion total te Vllaznia, që me siguri do ta ndryshojë gjendjen e këtij ekipi, që vitet e fundit ka luftuar për mbijetesë.

Janë larguar nga skuadra e sezonit të fundit dy brazilianët Zhunior dhe Hygor, por edhe shumë futbollistë të tjerë janë jashtë planeve të drejtuesve të rinj, kështu që futja në merkato është e detyrueshme. Deri tani është mësuar se ka një ofertë zyrtare për Dejvi Bregun, por ende nuk mund të flitet për akord.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë