Futboll

Vllaznia në rënie të lirë, ka harruar si fitohet. Skënderbeu me 10 vetë mund Teutën

Gazeta Si – Java e 13-të e Superiores është mbyllur sot me dy ndeshjet e fundit të saj, ku Skënderbeu ka fituar në Korçë 3-1 me Teutën, kurse Vllaznia barazoi pa gola në ‘Loro Boriçi’ me Laçin.

Skënderbeut e mbylli pjesën e parë në avantazhin e dy golave, por mbeti me 10 vetë, sepse Ardit Nikaj doli me karton të kuq. Durrsakët shkurtuan për një moment rezultatin në 2-1, por më pas pësuan golin e tretë, edhe pse ishin në superioritet numerik, kështu që dolën pa pikë nga transferta korçare. Skënderbeu ngjitet në vend të 4-t.

Vllaznina mbetet në krizë rezultatesh dhe duket se as dy Osmanët nuk po i bëjnë punë. As trajneri Qatip Osmani, i cili nuk ka shijuar ende fitoren e parë me këtë skuadër në 3 ndeshje të luajtura, as drejtori sportiv Tefik Osmani, që sapo ka shkuar në Shkodër.

Skuadra veriore ka marrë vetëm 2 pikë në 4 ndeshjet e fundit, duke vazhduar rënien e lirë drejt fundit të tabelës. Në ndeshjen e sotme me Laçin Vllaznia fitoi një penallti, që më pas iu hoq nga VAR-i. Me këtë ecuri, shkodranët duket se do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në Superiore.

Para ndeshjes u mbajt një minutë heshtje nga ana e skuadrës shkodrane, në respekt të humoristit Zef Deda, i i cili u nda sot nga jeta. Po ashtu, u mbajt një minutë heshtje edhe për nder të Rafael Duamenës, futbollistit që humbi jetnë në fushë disa ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë