Futboll

Vllaznia me fat në Champions, pret një ekip turk në “Loro Boriçi”

Vllaznia në futboll për femra do të luajë me një skuadër turke në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve. Gaziantep Alg Spor Kulubu është kundërshtari i vajzave shkodrane, kampione në fuqi të Shqipërisë. Ky ishte verdikti i shortit të hedhur sot në Nion.

Gaziantep është një skuadër që luan për herë të parë në Ligën e Kampionëve për femra. Kjo skuadër e fitoi të drejtën për të marrë pjesë në këtë kompeticion, sepse kur kampionati turk u ndal, ishte në vend të parë. Pozitiv është fakti që Vllaznia do ta luajë ndeshjen në stadiumin “Loro Boriçi”, më 3 ose 4 nëntor.

Për shkak të pandemisë, kualifikimi do të vendoset në një ndeshje dhe shkodranet mund të shfrytëzojnë faktorin fushë për të kaluar në turin e dytë. Këtë herë shorti ishte ndryshe, ku 40 skuadrat pjesëmarrëse në turin e parë eliminator janë ndarë në dy vazo me nga 20 skuadra secila. Vllaznia, falë koeficientit të saj, ishte vendosur në vazon e parë. Kjo është hera e 9-të që kampionet e Shqipërisë marrin pjesë në Kupat e Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë