Futboll

Vllaznia i jep fund bojkotit, merr garanci nga Ademi për pagat

Merr fund bojkoti i stërvitjes nga Vllaznia, që sot i është kthyer fushës, duke kryer seancën e parë post-korinavirus. Situata ka marrë zgjidhje pas ndërhyrjes së kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, njëherësh edhe presidente e Vllaznisë. Dy çështje të rëndësishme, ato të ushqimit dhe akomodimit, janë zgjidhur, ndërsa për pagat është premtuar se një ose dy prej tyre do të jepen brenda pak ditësh.

Lajmi bëhet i ditur nga klubi shkodran në faqen zyrtare, ku mes të tjerash shkruan: “Ekipi i Vllaznisë ka zbritur paraditen e sotme në fushën e stërvitjes, duke iu rikthyer normalitetit pas marrjes së garancisë nga ana e kryebashkiakes Ademi një ditë më parë për zgjidhjen e problemeve të ngritura nga futbollistët”.

Java që shkoi shënoi rikthimin në fushën e stërvitjes të skuadrave të futbollit, pas ndërprerjes më shumë se dymujore të kampionatit për shkak të pandemisë. Për Vllazninë situata ishte ndryshe, mes shumë problemesh ekonomike. Ekipi bojkotoi stërvitjen, sepse futbollistët kanë 4 muaj pa u paguar. Po ashtu, ata hasën probleme me pronarët e shtëpive me qira, të cilët i kërcënuan se do t’i nxirrnin jashtë. E njëjta situatë edhe me restorantin, ku lojtarët e Vllaznisë konsumojnë ushqimin.

Trajneri Mirsad Jonuz takoi direkt kryebashkiaken Ademi dhe i bëri të qartë situatën kritike. Reagimi tashmë ka ardhur dhe futbollistët presin që të marrin edhe pagat e premtuara, por nuk përjashtohet mundësia që për bojkotin të ketë masa ndëshkuese nga ana e klubit shkodran.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë