Futboll

Vllaznia drejt titullit, kapiteni Gurishta zbërthen makinerinë shkodrane

Fatjon Rupi - Ditët e vështira kanë ikur për Vllazninë, fjala “mbijetesë” është harruar në Shkodër, ku futbolli është jetë dhe fe. Të gjithë ëndërrojnë titullin kampion pas 19 vitesh. Qyteti më i madh verior, i konsideruar “djep i futbollit”, tashmë është edhe kryeqyteti i futbollit në Shqipëri. Me femrat është kampion absolut, por edhe me mushkujt duket se po kthehet në kohët e arta.

Vllaznia para një ndeshjeje. Gazeta Si, 17 janar 2021

Me ardhjen e sponsorit Alban Xhaferi dhe stafit të ri teknik, Vllaznia është transformuar, ndërsa targa “SH1919V” është bërë virale tashmë. Kur po i afrohemi gjysmës së kampionatit, shkodranët janë 9 pikë para vendit të dytë, dhurojnë spektakël me lojë sulmuese dhe po shtojnë tifozët anembanë Shqipërisë. Kapiteni Erdenis Gurishta, në një intervistë për Gazeta Si, tregon me detaje çfarë e bën Vllazninë kaq të bukur për t’u parë dhe pretendente kryesore për titullin.

Erdenis, në javët e para të kampionatit, kur Vllaznia fitonte, të gjithë e quajtën surprizë, por tani nuk fshiheni për titullin, apo jo?
Po, në fillim ashtu u duk. Me thënë të drejtën, edhe ne e menduam pak të vështirë, sepse erdhën shumë lojtarë të rinj. Sa të bashkohej grupi, menduam se do të kishim probleme, por na erdhi në ndihmë edhe bojkoti, lojtarët u ambientuan. Ne fitonim dhe Vllaznia quhej surprizë, por me kalimin e javëve të kampionatit, ndeshje pas ndeshjeje, kemi bindur dhe jemi pretendentë për titullin kampion. Kur bëmë tri fitore rresht, menduam se mund të arrijmë diçka.

Gurishta në dyluftim me Bregun e Teutës. Gazeta Si, 17 janar 2021

Diferenca 9 pikë tregon qartë se skuadra juaj i ka premisat për titullin?
Po, është diferencë komode, por nuk është edhe aq e madhe, mjafton të gabosh 2-3 ndeshje dhe e sheh veten në vend të dytë. Por jemi në rrugën e duhur, kjo nuk diskutohet.
Vllaznia bën lojë të bukur dhe rezultative, edhe pse nuk ka ndonjë yll në përbërje. Ku qëndron sekreti?
Po, është e vërtetë, nuk kemi ndonjë lojtar të madh, që të bëjë diferencën i vetëm, por kemi një grup shumë të mirë, të lidhur. Jemi të gjithë shokë dhe të bashkuar, sakrifikojmë për njëri-tjetrin. Pastaj duket edhe dora e stafit teknik, kemi krijuar një grup mjaft simpatik.

Trajneri Tomas Bërdariç, kur prezantohej nga sponsori Alban Xhaferi. Gazeta Si, 17 janar 2021

Ndalemi pak te trajneri Tomas Bërdariç, i cili duket sikur ka vepruar me një “shkop magjik”…
Realisht, është një trajenr shumë i mirë, jo se jemi në vend të parë dhe duhet t’i bëjmë komplimente. Është shumë kërkues, shumë strikt.
Çfarë e dallon nga ana teknike?
Ai e studion kundërshtarin deri në detaje, në çdo pikë të dobët dhe të fortë dhe ia transmeton pastaj skuadrës, kjo është pikë e fortë e tij. Pjesë e rëndësishme është edhe drejtori teknik, Matko (Djarmati), është ndihmë e madhe për të, na rri shumë afër. Ka një meritë të madhe edhe ai.

Po nga ana njerëzore, çfarë ju bën përshtypje te trajneri Bërdariç?
Ai është një trajner shumë i komunikueshëm, flet përditë me të gjithë lojtarët, jo vetëm me mua si kapiten. Flet jo vetëm për sportin, por edhe për anën personale dhe familjare, mundohet të jetë së më afër në çdo moment me lojtarët, është diçka pozitive që na lidh më shumë me trajnerin. E kemi si shok.

Vllaznia duke festuar një gol. Gazeta Si, 17 janar 2021

Një miks lojtarësh nga qytete të tjera dhe të huaj Vllaznia, më pak shkodranë në formacion…
Shkodranë në formacion jemi unë dhe Krymi, edhe Kruja ka luajtur disa ndeshje. Në ndeshjen e fundit luajti edhe Kalaja. Vetëm 3 titullarë jemi nga Shkodra, më parë kemi qenë më shumë shkodranë, por nuk kemi pasur suksesin që kemi tani. Është edhe çështje fati.

Nga ekip i administruar nga bashkia, tani keni një sponsor dhe çdo gjë ka ndryshuar. Çfarë ka ndodhur konkretisht?
Ardhja e sponsorit Alban Xhaferi ka pasur ndikim të madh, ai afroi drejtorin teknik, pastaj trajnerin dhe stafin e tij. Ka një meritë shumë të madhe dhe uroj që shumë shpejt të jetë edhe presindet, do të ishte diçka e madhe për Vllazninë. Meritë ka edhe bashkia, që po bashkëpunon në çdo aspekt.

Gurishta në një dyluftim ajror. Gazeta Si, 17 janar 2021

Përveç tifozëve shkodranë, Vllaznia sikur po shton tifozët edhe nga qytetet e tjera. E keni vënë re?
Po, është e vërtetë, sidomos tifozët e ekipeve elitare që tani janë jashtë Suepriores, si Dinamo, Flamurtari, Elbasani e të tjerë, na kanë mbështetur. Janë bërë me Vllazninë. Tifozët tanë na ndjekin në çdo ndeshje, vijnë para ndeshjes dhe na japin zemër. Disa tifozë kishin ardhur në Elbasan për ndeshjen me Kukësin, disa ishin në stadium, disa e panë në kafene. Kishin ardhur të festonin bashkë me ekipin, kishin parandjenjën e fitores.

Ju vjen keq që në këtë sezon kaq pozitiv nuk i keni tifozët në stadium?
Na vjen keq, sepse dihet tifozëria e Shkodrës. Kur ishim për mbijetesë vinin plot, jo tani që jemi për titull. Jo vetëm nga ana sportive është humbje e madhe, por edhe nga ana financiare, sepse prania e tifozëve në “Loro Boriçi” do të sillte shumë të ardhura për klubin.

Gurishta gjatë një dyluftimi me Kale të Tiranës. Gazeta Si, 17 janar 2021

Erdenis, flasim pak për aspektin personal. Nga ai dëmtim i rëndë disa vite më parë, tani kapiten i Vllaznisë, e kujtoni atë moment?
Jam munduar ta harroj. Mendoj se ai dëmtim më ka bërë më të fortë. Mund t’i ndodhë kujtdo, sepse futbolli i ka këto gjëra. I lutem Zotit dhe e falënderoj, sepse më dha një mundësi të dytë. Doktorët i dhanë pak shpresë familjes sime që të luaja futboll, por tani jam këtu dhe dua të arrij më të mirë me Vllazninë si kapiten.

Ju keni përjetuar edhe momentet më të vështira, edhe rënien nga kategoria…
Kam qenë gjithmonë te Vllaznia, është sezoni i gjashtë që luaj për të. Kam qenë në të mirë dhe në të keq, por më shumë kemi pasur momente negative vitet e fundit, play-off-i dhe rënia nga kategoria. Ky është viti i parë që Vllaznia po dominon.

Vllaznia në foton e zakonshme pas çdo fitoreje. Gazeta Si, 17 janar 2021

Si është atmosfera në qytet pas kësaj ecurie pozitive?
Ndryshimi është si nata me ditën. Më parë, pas humbjes qëndronim në shtëpi, nuk dilnim nga sedra. Tani kemi dëshirë dhe entuziazëm, sepse sapo dalim, na takojnë tifozët, na përgëzojnë dhe bëjmë foto. Ky qytet është i dashuruar me Vllazninë, çdo gjë lidhet me të në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë