Futboll

Vllaznia del në shitje, zyrtarizohet borxhi dhe çmimi fillestar

Bashkia e Shkodrës ka hapur rrugën e shitjes së Vllaznisë, që vitet e fundit ka vuajtur shumë nga mënyra e administrimit të saj dhe kjo situatë është reflektuar edhe në rezultate. Me një vendim unanim, Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka dhënë miratimin për të nxjerr në ankand aksionet e klubit Vllaznia me një çmim fillestar prej 600 milionë lekësh (të vjetër). Pas një mbledhjeje maratonë të Këshillit Bashkiak, ku nuk munguan debatet me anëtarëve për Vllazninë, në fund të gjithë votuan “online” dhe asnjë prej këshilltarëve nuk ishte kundër privatizimit.

“Bilanci dhe pasqyrat financiare janë të audituara dhe të standardizuara me kërkesat e ligjit për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare. Në fund të vitit ushtrimor 2019, shoqëria ka një borxh te akumuluar prej 176,731,402 Iekë”, shkruhet në raportin e Bashkisë që iu paraqit Këshillit Bashkiak.

Ndërkohë, sa u përket rrogave, u bë e qartë se rroga maksimale aktualisht te klubi i Vllaznisë ishte 620 mijë lekë në muaj, e konsiderueshme duke llogaritur mesataren e kampionatit shqiptar, gjë që tregon se investimi që kanë bërë në Shkodër është mjaft i rëndësishëm.

“Kështu, 18 nga 25 lojtarët e skuadrës së parë paguhen me 100 – 620 mijë lekë në muaj dhe brenda 18 lojtarëve më të paguar ka diferenca të mëdha, Edhe në vendet e tjera, pagesa ekstra konsiderohet si komponent i vlerës së Iojtarëve, mbasi ato bëhen për të siguruar dhe mbajtur në ekip lojtarë të talentuar. Për këtë qëllim si pagesë ekstra është konsideruar shuma e pagave mujore të lojtarëve mbi nivelin mesatar mujor prej 300 mijë lekë”, shkruhet në raport.

Vllaznia është nga ato klube në vendin tonë që janë 100% pronë e bashkisë së qytetit. Prej pak kohësh është afruar sponsori Alban Xhaferi, sigurisht i interesuar për privatizimin e klubit, ndërsa më parë kanë kontribuuar si presidentë i ndjeri Myftar Çela dhe më pas Agron Çela dhe Valter Fushaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë