Futboll

Vllaznia del në shitje, ankandi nis nga 600 milionë lekë

Bashkia e Shkodrës ka hapur rrugën e shitjes së Vllaznisë, që vitet e fundit ka vuajtur shumë nga mënyra e administrimit të saj dhe kjo situatë është reflektuar edhe në rezultate. Voltana Ademi, kryebashkiakja e Shkodrës, ka dhënë disa detaje në lidhje ankandin e shitjes së klubit, që pritet të nisë nga çmimi dysheme i 600 milionë lekëve.

“Kemi marrë nga MARS-ja një letër, ku u kërkohet institucioneve që administrojnë klube futbolli të kryejnë procesin e shitjes. Ka një ndryshim mes privatizimit dhe shitjes. Ne kemi qenë gati, bilancet janë gati, kemi relacionin dhe projekt-vendimin për shitjen e klubit Vllaznia 100%, sikurse ligji e thotë. Kemi pasur diskutime, por me daljen e ligjit është detyrim.

Voltana Ademi, kryebashkiakja e Shkodrës. Gazeta Si, 27 tetor 2020

Do të ketë një ankand të hapur dhe do donim të merrnin pjesë jo vetëm ata që janë të interesuar sot, por edhe ata që kanë investuar në të shkuarën. Kjo është e rëndësishme, pasi u duhet dhënë mundësia të gjithëve të konkurrojnë. Do kemi një procedurë transparente. 60 milionë lekë të reja është çmimi fillestar, por vlera e saktë gjendet në raport. Kuptohet që kjo është vlera më e ulët, pastaj gjithë të tjerët mund të shprehin interesin e tyre. Procedura jep mundësinë të marrin pjesë një ose disa subjekte që duhet të bëhen bashkë përmes një kontrate”, - ka sqaruar Ademi.

Vllaznia është nga ato klube në vendin tonë që janë 100% pronë e bashkisë së qytetit. Prej pak kohësh është afruar sponsori Alban Xhaferi, sigurisht i interesuar për privatizimin e klubit, ndërsa më parë kanë kontribuuar si presidentë i ndjeri Myftar Çela dhe më pas Agron Çela dhe Valter Fushaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë