Vllaznia po bën një sezon shumë të mirë deri tani dhe kryeson Superioren me 9 pikë diferencë nga vendi i dytë. Skuadra funksionon mirë në çdo repart, por drejtuesit e klubit shkodran nuk e kanë lënë pas dore merkaton dhe kanë gati përforcimin e tretë.
Drejtori teknik, Matko Djarmati, ka pohuar se është arritur akordi me mesfushorin Klodian Gjino, pjesë e Kombëtares U-21 disa vite më parë, kur ajo drejtohej nga trajneri Skënder Gega. Futbollisti 26-vjeçar, i lindur në Berat, është rritur në shkollën e Olimpiakosit në Greqi, por më pas ka luajtur kryesisht në skuadra të kategorive të ulëta. Gjino pritet të bashkohet që sot me Vllazninë, duke përforcuar kështu qendrën e mesfushë kuqeblu, ku luajnë Krymi, Marku, Jonuzi dhe Kruja.
Pak ditë më parë shkodranët kanë afruar edhe një sulmues afrikan, ndërsa dje kanë prezantuar të riun Radovani si pjesë të skuadrës. Këtë sezon drejtuesit e Vllaznisë nuk kanë bërë blerje të bujshme në emra, por kanë goditur në shenjë me lojtarët e afruar, pasi të gjithë po tregojnë vlera. Vllaznia tashmë konsiderohet nga të gjithë si pretendente kryesore për titullin kampion, jo vetëm nga diferenca që ka krijuar me ndjekësit, por edhe nga niveli i lojës që po tregon
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.