Futboll

Vlahoviç thërret, Lautaro Martinez përgjigjet! Derbi i Italisë mbyllet në barazim

Gazeta Si – Në ‘Allianz Stadium’ u luajt një ndeshje e kujdesshme dhe e ekuilibruar. Pas dy golave në pjesën e parë, ritëm i ulët dhe pak raste në të dytën.

Juventusi dhe Interi e bëjnë ‘nul’ derbin e Italisë numër 249. Në kryendeshjen e javës së 13-të të Serisë A mes skuadrës së Masimiliano Alegrit dhe asaj të Simone Inzagit, gjithçka përfundoi në barazim, 1-1.

Në pjesën e parë Dushan Vlahoviç zhbllokoi shifrat pas një asisti të Kiezës. Vetëm pak minuta më pas Lautaro Martinez rivendosi baraspeshën, duke devijuar saktë drejt rrjetës një kors të Turam. Këto dy goditje ishin ato që shenjuan këtë ndeshje.

Në pjesën e dytë dy skuadrat menduan më shumë për t’u mbrojtur dhe e ulën ritmin. Për rrjedhojë u krijuan pak raste, që nuk ndryshuan asgjë në rezultat. Interi ruan kryesimin me 32 pikë, Juventusi e ndjek me 30 pikë.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, mori minutat e tij të zakonshme në fundin e ndeshjes.

Juventus-Inter 1-1
Juventus (3-5-2): Shezni, Gati, Bremer, Rugani, Kambiaso, MekKeni, Nikolusi (Lokateli), Rabiot, Kostiç (Aleks Sandro), Kieza (Milik), Vlahoviç (Kean). Trajner: Alegri
Inter (3-5-2): Somer, Darmian, De Vrij, Açerbi, Dumfris (Kuadrado), Barela (Fratezi), Çalhanoglu (Asllani), Mkhitarian, Dimarko (Karlos Augusto), Turam (Arnautoviç), Martinez. Trajner: Inzagi
Shënues: Vlahoviç 27’, Martinez 33’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë