Politike

Vjosa Osmani mbërrin në Tiranë, pritet me ceremoni zyrtare nga presidenti Begaj. Do takohet edhe me Ramën (agjenda)

Nga Gazeta ‘Si’ - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me ceremoni zyrtare në Tiranë nga homologu Bajram Begaj. Osmani ka mbërritur në Tiranë që mbrëmjen e kaluar.

Kjo është vizita e parë e Osmanit në Tiranë që prej anulimit të mbledhjes së dy qeverive, pas tensioneve në veri të Kosovës.

Osmani gjatë vizitës do takojë edhe kryeministrin Edi Rama si edhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Në ditën e dytë të vizitës, Osmani dhe Begaj do të marrin pjesë në një aktivitet me rastin e ditës së Nënë Terezës. Ndërkohë, presidentja e Kosovës do të jetë e pranishme edhe në vendosjen e kurorës në monumentin “Nëna Shqipëri”.

Pas kësaj, Osmani do të niset drejt Beratit, ku do të zhvillojë një takim me Kryetarin Ervin Demo, i cili do t’i akordojë edhe titullin ‘Patron i Kalasë’, një titull që i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.

Ndalesa tjetër do të jetë në Durrës ku Osmani do të zhvillojë një takim me Kryetaren e Bashkisë te Durrësit, Emiriana Sako si dhe do të vizitojë doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë