Gjykata e Durrësit ka lënë në burg tre personat që akuzohen për dëmtimin e serverit të Prokurorisë Durrës dhe vjedhjen e dosjeve hetimore. Gjykata ka zhvilluar seancën për vlerësimin e masës së sigurisë për shtetasit Artur Isa, Besnik Bushi si dhe punonjësin e kompanisë së ruajtes së objekteve Nias Lena.
Prokurorët e cështjes Drini Pali dhe Pali Decolli kanë deklaruar se janë gjetur 13 gjurmë të vlefshme të autorëve në zyrën e prokurorit Afrim Shehu dhe të një oficeri të policisë gjyqësore, që kanë çuar në arrestimin e dy personave të cilët cilësohen si autorë të vjedhjes, Artur Isa dhe Besnik Bushi.
Prokuroria ka deklaruar se nëpërmjet provave shkencore nuk ka asnjë dyshim se ata janë dy autorët që kanë dëmtuar serverin dhe kanë vjedhur dosje të ndryshme hetimore, pavarësisht mohimit nga ana e të dyshuarve se nuk kanë qenë në Prokurori prej një kohe të gjatë.
Pala mbrojtëse ka deklaruar se klientët e tyre nuk kanë qenë në atë në Prokurori më 23 maj dhe ata nuk janë autorë të vjedhjes, duke kërkuar një masë sigurimi më të butë dhe jo arrest në burg.
Gjyqtarja e cështjes Laureta Tafa, theksoi se për dy prej të pandehurve, Artur Isa dhe Besnik Bushi janë gjetur prova shkencore që i akuzojnë se kanë qenë mëngjesin e 23 majit brenda mjediseve të Prokurorisë Durrës.
Mes dokumenteve të vjedhura mësohet se janë shkresa të dosjes hetimore për skandalin e tjetërsimit të tokave në zonën e Ishmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.