Politike

Vizita e “yllit” të Botërorit, nga miqësia mes dy popujve deri tek ndotja e Adriatikut

Kolinda Grabar-Kitaroviç nuk ishte krejtësisht e panjohur për shqiptarët, por vizita dyditore në Shqipëri mbërrinte fill pas përfundimit të kampionatit botëror, ku fama e saj u shumëfishua falë edhe paraqitjes spektakolare të Kroacisë në këtë kompeticion.

Avioni i Presidentes kroate u ul në Aeroportin e Rinasit në orët e pasdites së të mërkurës dhe kur shkeli në tokë, Presidentja e gjeti veten “Qytetare Nderi” të Beratit, një vendim i marrë nga Këshilli Bashkiak ditën e nisjes së vizitës së saj. Nga ana e tyre, politikanët shqiptarë e kishin ndjekur botërorin dhe shumë prej tyre ndoshta kanë bërë tifo për Kroacinë, ndaj u vunë në radhë për të pritur udhëheqësen e një vendi mik.

I pari që i dha dorën ishte Presidenti Ilir Meta. Në takimin e zhvilluar mes tyre, dy presidentët vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve. Meta falenderoi Kroacinë për mbështetjen e palëkundur për proceset integruese të Shqipërisë në BE dhe kujtoi bashkëpunimin në fushën e sigurisë në kuadër të NATO-s, si dy vende anëtare.

Vetë Presidentja kroate u kthye në vitet e vështira të luftës në Kroaci për të ilustruar marrëdhënien e fortë mes dy popujve.

“Shqipëria ishte miku ynë kur miqtë tanë ishin shumë të paktë. Komuniteti shqiptar në Kroaci është shembulli i marrëdhënieve tona të forta. Por është dhe shembulli i luftës sot. Nga 18 mijë shqiptarë në Kroaci, 2 mijë ishin pjesë e trupave që luftuan për lirinë e vendit tonë. Jam shumë e lumtur që të përmend traditat tona dhe lidhjet tona historike”, tha ajo.

Presidenti Meta i dhuron dekoratë Flamuri Kombëtar"

Nga Presidenca u largua me dekoratën “Flamuri Kombëtar” dhënë nga Presidenti Meta “për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë”.

Dita e dytë e vizitës nisi me një fjalim para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Mazhoranca dhe opozita lanë sherrin e ditës dhe priten e përcollën me duartrokitje e buzëqeshje mikeshën kroate. Në mes ishte një fjalim i saj, ku ritheksoi miqësinë mes dy vendeve. Takimet u zhvendosën në Kryeministri, ku Kolinda Grabar-Kitaroviç u prit nga Kryeministri Edi Rama.

Pas Tiranës vizita u zhvendos në Durrës. Durrësi është qyteti bregdetar më i populluar në Shqipëri e për rrjedhojë edhe ai që ndot më shumë Adriatikun. Nuk janë të pakta rastet kur mbetjet plastike që përfundojnë në ujërat shqiptare të tij përplasen pas disa muajsh në brigjet kroate, aq sa është ngritur disa herë si problematikë në mediat dhe institucionet e Zagrebit.

Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarovic, ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakot

Ky duket se ishte edhe misioni i Kolinda Grabar-Kitaroviç në Durrës. Aty u prit nga kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale përforcon dyshimet mbi qëllimin e vërtetë dhe kryesor të ndalesës së Presidentes kroate në këtë qytet.

“Gjatë vizitës së Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović në qytetin e Durrësit dhe së bashku me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri morëm pjesë në prezantimin e projektit dypalësh mes Shqipërisë e Kroacisë në lidhje me menaxhimin e ndotjes detare dhe bregdetare për rritjen e sigurisë në dete dhe porte në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE-së, organizuar në portin e Durrësit. Këto përpjekje të përbashkëta do të synojnë reduktimin e riskut të ndotjeve në mjediset detare, forcimin e kapaciteteve të aktorëve te përfshirë për t’iu përgjigjur rreziqeve mjedisore dhe teknologjike të shkaktuara nga incidentet detare, derdhjet e naftës ose lëndëve të tjera të rrezikshme”, shkruan ai në fotot e publikuara në Facebook.

https://www.facebook.com/vangjushdako.dr/posts/1784045735006621

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë