Ne rrjet

Vizita e Brnabiç në Zagreb ndez tensionet, presidenti kroat: Je korriere e Vuçiç, mbani anën e Rusisë

Nga Gazeta Si- Vizita e kryeministres serbe në Zagreb ka ndezur tensionet mes Serbisë dhe Kroacisë. Presidenti kroat Zoran Milanoviç e ka cilësuar Brnabiç si një korriere të Aleksandër Vuçiç.

"Brnabiç është zëdhënëse, ajo është korrierja e zotit Vuçiç. Sigurisht që nuk e nënvlerësoj këtë, por duhet të dimë se çfarë roli luan", tha  Milanoviç.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë "të flasë për spastrim etnik në Kroaci".

Kryeministrja serbe tha në tetor të vitit të kaluar se Kroacia u tregua një vend armik i Serbisë dhe në maj se Kroacia ishte spastruar etnikisht. Të dielën, Brnabiç mori pjesë në Asamblenë e Madhe të Këshillit Kombëtar Serb (SNV) në sallën e koncerteve Vatroslav Lisinski të Zagrebit.

“SNV nuk i përfaqëson serbët në Kroaci, është “mashtrim" dhe jo institucion përfaqësues. Në mënyrë që diçka të ndryshojë rrënjësisht në Beograd, është e nevojshme të ndryshohen themelet e politikës atje. Nuk mund të ecësh me historinë se Kroacia moderne lindi nga spastrimi etnik”, tha presidenti kroat.

Gjithashtu ai akuzoi Serbinë se po mban anën e Rusisë sa i përket luftës në Ukrainë.

“Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Duhet t'i japë fund  marrëdhënies me Rusinë. Duhet të vendosë sanksione”, deklaroi presidenti kroat. Ai i tha Beogradit se lufta në Ukrainë ka më shumë se një vit, dhe se ata ende nuk janë deklaruar se cilën anë mbajnë. Brnabiç u takua me kryeministrin kroat, por jo me presidentin Milanoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë