Politike

Vizioni i Joe Biden për raportet me shqiptarët

Kandidati demokrat për President në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden synon të tërheqë votat e komunitetit shqiptaro-amerikan përmes një programi me shtatë pika.

Në pikën e parë, Biden zotohet që të ndryshojë qasje në qëndrimin karshi Kosovës dhe Serbisë. Sipas kandidatit demokrat, administrata Trump ka pasur një qasje të pabalancuar. “Do të rikthejmë ndërshmërinë, barazinë dhe do të punojmë për një bashkëpunim më të mirë. Sipas platformës së shpërndarë nga stafi elektoral i Biden, ai zotohet që të punojë ngushtë me Bashkimin Europian për të arritur një marrëveshje që respekton integritetit territorial të Kosovës dhe shkon drejt njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi.

Në pikën e dytë, Biden zotohet se do të këmbëngulë që drejtësia për krimet e luftës të vihet në vend e plotë, e paanshme dhe llogaridhënie për personat e zhdukur, përfshirë këtu edhe për vëllezërit Bytyqi.

Së treti, Biden premton se do të mbështesë misionin KFOR bazuar në nevojën e sigurisë së interesave amerikane në rajon dhe jo mbi bazën e llogarive politike.

Së katërti, Joe Biden premton që të ushtrojë presion ndaj Bashkimit Europian që të liberalizojë vizat me Kosovën dhe të avancojë me hapat e tjera për integrimin e saj në union përmes mekanizmit të stabilizim-asocimit.

Pika e pestë e planit të Biden për marrëdhëniet me shqiptarët lidhen me Shqipëri. Ai premton forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, që të garantohet “që Shqipëria do të jetë një aleate e fortë e NATO-s”. Premton gjithashtu edhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Biden zotohet për qëndrime të sinqerta, të paanshme dhe të drejta në rastet kur do të vërejë shkelje të parimeve demokratike.

Së gjashti, Biden premton të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit, duke nënkuptuar mbështetjen në reformat e vështira në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe reformat që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Biden zotohet gjithashtu se do të punojë që dyert e BE-së të jenë të hapura për Shqipërinë në momentin që vendi do të jetë gati për anëtarësim.

Në fund, Biden premton të bashkëpunojë me partnerët europianë për të ndihmuar ekonomitë e rajonit të goditura nga pandemia, duke garantuar një të ardhme më të sigurtë për qytetarët në vendin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë