Politike

Vizat me Holandën, Basha: Mosbesim ndaj qeverisë

Kreu i Partisë Demokratike, e ka cilësuar një shuplakë ndaj qeverisë dhe jo një akt racizmi ndaj popullit shqiptar vendimin e Parlamentit holandez për rikthimin e regjimit të vizave. Kryedemokrati theksoi se opozita e kishte paralajmëruar më herët se duke parë situatën e rëndë në vend, do të shkohej te ky vendim.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në Parlamentin e Holandës për rivendosjen e vizave për shqiptarët ka 3 domethënie.

“E para, ky nuk është një akt racizmi ndaj popullit shqiptar. Ky është një akt i pastër mosbesimi ndaj qeverisë aktuale, - tha Basha i ftuar në emisionin “Tempora”. - Për çfarë arsyeje? Sepse prej më shumë se 3 vitesh, policia holandeze dhe autoritetet e drejtësisë dhe ligjit në Holandë kanë konstatuar jo thjesht një rritje të numrit të krimeve të kryera nga rrjetet kriminale me bazë në Shqipëri, por rritje të influencës së tyre financiare dhe organizative. Disa prej këtyre raporteve që janë publikuar edhe në median shqiptare tregojnë se këto rrjete kriminale, duke operuar me bazë Shqipërinë kanë futur në dorë edhe trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt portit të Roterdamit apo Anversës në Belgjikë, sikundër kanë bërë edhe në qytete të tjera të rëndësishme të Evropës, nga Londra në Hamburg e gjetkë”.

Ai shtoi se  me paratë e drogës, edhe nga Amerika Latine, këto banda janë bërë kaq të fuqishme “saqë po të lexosh raportet e autoriteteve holandeze, kupton se tani kanë filluar të paraqesin një rrezik të madh edhe për pastrimin e parave”.

Në lidhje me situatën politike, kreu i demokratëve shpjegoi se PD është forcuar, sepse shqiptarët kanë kuptuar se opozita është rreshtuar krah tyre.

Basha theksoi se kryeministri Rama në vitin 2013 i fitoi zgjedhjet, sepse kishte 19 kriminelë, narkotrafikantë, tutorë prostitutash, përdhunues të miturish, trafikantë droge, heroine, kokaine.

"Opozita është forcuar se shqiptarët e kanë kuptuar që është ndarë shapi nga sheqeri. PD ka hequr çdo dilemë se kjo është betejë për pushtet, është shumë më shumë sesa kaq. Ka nevojë për një transformim. Ka ardhur koha t’i mbyllim derën tranzicionit dhe t’i hapim derën Shqipërisë Europiane. Kjo do të thotë që ne duhet të krijojmë parakushtet në zgjedhje, shëndetësi, arsim, të mundësojmë që njerëzit të kenë akses të barabartë dhe të pamundësojmë që pushteti të mbetet në dorë të një grupi oligarkësh. Rama përdori krimin në zgjedhjet e 2013, prandaj fitoi. Kishte 19 kriminelë, narkotrafikantë, tutorë prostitutash, përdhunues të miturish, trafikantë droge, heroine, kokaine. Kjo është e vërteta".

Dy muaj e gjysmës para zgjedhje lokale, Basha mohoi se do të ketë proces zgjedhor, duke këmbëngulur edhe një herë se ato do të shtyhen

“Data e zgjedhjeve lokale do të shtyhet. Zgjedhje lokale me 30 qershor nuk ka për të pasur. Ka më drejt se kjo?! Pa u ndëshkuar krimi elektoral; duke filluar me krimin elektoral të pushtetit vendor me Dibrën e 2016-ës, pa u ndëshkuar përgjegjësit për krimet elektorale, as që mund të mendohet të garantohet një proces zgjedhor. Derisa nuk garantohet një proces zgjedhor si mund të ketë zgjedhje false. Zgjedhje false nuk do të ketë”, - u shpreh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë