Rend dhe Ligj

Viza false për në SHBA, Angli e Kanada, arrest me burg 15 të arrestuarve

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 15 të arrestuar, të cilët ishin pjesë e grupit që falsifikonte viza apo pasaporta për në SHBA dhe Kanada.

7 të tjerë janë liruar nga qelia, por janë lënë në “arrest shtëpie”, kurse 2 të tjerë janë lënë “detyrim paraqitje”.

Ky operacion ka fillur prej vitit 2019, ndërsa dje u arrestuan edhe 24 persona të tjerë në tre qarqe të Shqipërisë.

Operacioni i shërbimit diplomatik të Sigurisë në US Embassy i (DSS-OCI) Tirana, në bashkëpunim me një njësi speciale nga Policia e Shtetit ka kryer dje operacionin “Crystal Eagle”, duke vënë në pranga 26 persona, mes tyre dy agjentë krimesh me inicialet B.I dhe B.M., dhe punonjës të aeroportit të Rinasit “Nënë Tereza”.

Mënyrat që përdornin ky grup për të kaluar klandestinët drejt SHBA-ve janë tre. E para, klandestinët kalonin nga Shqipëria drejt Gjermanisë e më pas kalonin në Republikën Domenikane. Pas saj, shqiptarët vendoseshin në Meksikë e më pas futeshin në SHBA.

E dyta, Shqipëri-Bullgari-Francë-Republika Domenikane dhe më pas për në Amerikë, ndërsa mënyra e tretë është kalimi përmes Francës dhe Londrës, konkretisht itinerari Shqipëri-Francë-Londër-Republika Domenikane dhe më pas në SHBA.

Në lidhje me këtë megaoperacion të shtrirë pritet që sot të ketë një konferencë të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Shtetit, për të zbardhur më tepër detaje.

Në grupin e parë të të arrestuarve ishin 17 persona, ndër të cilët Dritan Gramozi, Aleksia Kamaj, Vejsel Gjolleshi, Arjan Shehu, Dashamir Seferi, Kostaq Gjoka, Dashnor Tafani, Astrit Ziguri, Rezart Hoxha, Leonard Markaj, Glej Shehu, Afrim Emini, Ermal Mema, Ilia Margo, Çajup Tefa, Marlen Shoshaj, Gjergji Mezuraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë