Treg

Çdo vit më shtrenjtë – Qiratë në Tiranë i rritin studentët

Sabina Veizaj - Teksa "Forbes" rendit në vend të parë Lizbonën e Portugalisë si vendin me kosto më të lirë jetese për të jetuar në 2018-ën, ku me 1300 $ në muaj paguan qeranë, dritat, ujin, ushqimin dhe të tjera, Tirana shpërfaq një tablo interesante, duke e parë në perspektivën e tregut të qiradhënies së pasurive të paluajtshme.

Cilat janë pasuritë më të shtrenjta për t'u dhënë me qira? Kush i kërkon? Çfarë ndodh me studentët të cilët janë një potencial i rëndësishëm për këtë treg?

Ju nuk do ta besoni, por rezidencat të cilat janë shumë të mikluara dhe ëndërruara në Tiranë në zonat si TEG, Kodra e Diellit, Liqeni Artificial, Mullet, nuk kanë çmim të lartë qiraje për metër katror. Këtë e konfirmojnë disa prej agjencive imobiliare në kryeqytet. Sipas tyre, këto vila apo dublekse, të cilat janë ndërtuar vitet e fundit në rrethinat e Tiranës janë shumë të kërkuara dhe vlera për m2 nuk është shumë e lartë, por sipërfaqja e madhe bën që vlera totale mujore të jetë e konsiderueshme.

Por, ajo që habit janë rezidencat e ambasadorëve të akredituar në vendin tonë, të cilët paguajne deri në 9000€ në muaj për një vilë.

Banka e Shqipërisë e konsideron tregun e qirasë në Tiranë si të luhatshëm bazuar në indeksin që mat. Sipas BSH-së, pasi shënoi rënie gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017, indeksi i qirasë së banesave iu rikthye rritjes në tremujorin e parë të këtij viti dhe rënie reale prej 7.6% në tremujorin e dytë.

Dritan Leka, CEO “Century 21 CPM” pjesë e Century 21 Albania, pohon për Gazetën “Si” se trendi i qirave në Tiranë është gjithmonë në rritje. “Pikun sigurisht e arrijnë qiratë komerciale me prona që shkojnë nga 25-32 €/m2 me afate minimale 2-3 vite. Për apartamentet, zonat më të nxehta janë Blloku, Liceu Artistik, Stadiumi Q.Stafa, Garda dhe Diga (Nobis). Vlera maksimale në këto zona për m2 arrin në 10-15 € për apartamente. Ndërkohë që në këto zona shumë prej apartamenteve trajtohen edhe si zyra, faktor ky që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të këtyre zonave.”

Leka sqaron se ky nuk është realiteti masiv,  pasi 60% e klientëve të Century 21, vijon ai, kërkojnë aparatamente me vlerë 200-350€ në muaj e me përmasa 50-80m2. “Dhe kjo arrihet vetëm në apartamentet e ndodhura në zona sekondare të Tiranës apo në godina të vjetra (të ndërtuara përpara 1995).”

E parë në këndvështrimin social, trendin në rritje të tregut të qirasë së apartamenteve të banimit e vuajnë studentët shqiptarë, të cilët vijnë nga rrethet për të studiuar në Tiranë dhe përballen çdo vit me çmime më të larta se mundësitë e tyre, ndaj, thotë Leka, “në shumicën e rasteve zgjedhin të bëhen 3-4 persona në një apartament në mënyrë që të përballojnë çmimin e qirasë. Zona ku ata kërkojnë lidhet ose me afërsinë ndaj institucionit arsimor që do të frekuentojnë,  dhe/ose me buxhetin e tyre.” Ajo që vihet re dhe që është një nga fatorët zhvillues të tregut për Lekën janë studentët e huaj, kryesisht ata italianë. “Ndërkohë prej të paktën 5 vitesh në Tiranë ka edhe shumë studentë të huaj  të cilët kanë buxhete mjaft më të larta me vlera që arrijnë deri në 1000€ në muaj për apartament. Ata fillimisht (në vitin e parë të studimeve) i drejtohen zonës përreth institucionit arsimor që frekuentojnë dhe më pas, pasi kanë krijuar më shumë njohuri për qytetin, preferojnë të zhvendosen në zona më të rëndësishme dhe me nivel jetese më të lartë.”

CEO I “Century 21 CPM” këmbëngul se klientët më interesantë për qiradhënësit mbeten të huajt, indivitë të cilët për arsye pune jetojnë në Tiranë. Këta janë; antarë të trupit diplomatik, titullarë kompanish apo antarë të organizatave të ndryshme prezente në vend. Ky grup klientësh cilësohet sipas Lekës dhe ekspertëve që operojnë në këtë fushë si klienti më i mirë, pasi kanë buxhete të larta, vijnë kryesisht vetëm ose në familje të vogla. Kjo lloj klientele zgjedh zonat e rëndësishme të qytetit me buxhete 500-2000€ në muaj për apartament.

Leka thekson se i gjithë viti kalendarik është periudhë kërkese dhe oferte për qira, por periudha Shtator-Tetor mbetet periudha më e nxehtë. “Kjo pasi në këtë periudhë studentët fillojnë kërkimin, dhe expatet (expatriate) fillojnë misionet e tyre në vend.”

Century 21 Albania, thotë Leka, vetëm përgjatë vitit 2017 ka realizuar 1000 transaksione qiraje dhe deri më tani për 2018, ka realizuar 1000 transaksione të tjera. “Pra në raportin "year to date" kemi një trend rritje me 50% të transaksioneve për këtë vit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë