Treg

Virusi që po kalb Bujqësinë dhe ngordh Blegtorinë

“Sot kam pasur 3 raportime nga kolegë veterinerë të cilët kan hasur përplasje me forcat e policisë pasi u ndalohet qarkullimi, megjithëse ishin në kushtet e shërbimit urgjent për raste të kafshëve që kanë pasur nevojë për ndërhyrje”, thotë për Gazetën “Si” Ervin Resuli ekspert në fushën e bujqësisë dhe sipërmarrës.

Ervin Resuli, Ekspert në fushën e bujqësisë dhe sipërmarrës




Ai e konsideron këtë situatë "paaftësi direkte të Ministrisë së Bujqësisë dhe vet z.Çuci, që sipas tij ka futur Shërbimin Veterinar në kolaps total ku kafshë bujqësore dhe shtëpiake kanë mbetur pa mbështetje mjekësore veterinare, ku në pamundësi veterinerët nuk ushtrojnë dot profesionin e tyre për arsyet e ndalimlëvizjes".

Në fakt në disa pika në Tiranë ku shiten ushqime kafshësh, Gazeta “Si” konstatoi të njëjtin problem. Disa ishin të mbyllura, disa të tjera me shumë vështirësi kishin arritur të merrnin lejen për të hapur dyqanin.

“E hapëm vonë sepse mezi komunikova për të marrë lejen. Nuk është e drejtë. Ne shesim ushqim për kafshët shtëpiake dhe shpendët. Asgjë tjetër. Kafshët duan të hanë, nuk mund ti lësh të vdesin. Edhe në Itali i kanë lënë hapur. Pak kemi vështirësi me punonjësit që nuk vijnë në punë nga frika, por të paktën, vijmë vetë ne si pronar që të mos ndërpresim shërbimin për klientët”- thotë për gazetën “Si”, pronari i një dyqani ku shitet ushqim për kafshë shtëpiake dhe shpendë në “Komunën e Parisit”.

“Injoranca ulur këmbëkryq dhe nxierr jasht shërbimit Mjekësinë Veterinare këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria me Covid-19”, thotë Resuli duke marrë si shembull pozitiv Kosovën e cila sipas tij vlerëson Shërbimin Veterinar. Por - shton ai - kjo ndodh pasi Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar Shqiptar nuk është shitur tek Ministria. "Turp Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar Shqipëtar që nuk arrin dot të marrë një leje që shërbimi veterinar të funksionojë normalisht”, thotë ai. Sipas tij, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në Kosovë ka njoftuar se farmacitë bujqësore nuk mbyllen.

Fërmerët gati të hedhin produktet në plehëra

Situata e krijuar si pasojë e shpërthimit të koronavirusit edhe në Shqipëri shfaqet e rëndë edhe për sektorin bujqësor, sidomos për fermat e vogla dhe të mesme që paralizohen totalisht dhe mund të humbasin gjithë prodhimin në këto 2-3 muaj.

Në lidhje me prodhimet e perimeve të freskëta, sipas Ervin Resulit aktualisht janë këto shqetësime:

a) Perimet e vona të fushës së hapur (presh, lakra, spinaq etj) fermeri nuk mundet ti shkulë pasi nuk ka se si t'i dërgojë deri në tregun më të afërt. Psh një fermer në një fshat të Lushnjes nuk mund të lëvizë me mjet deri tek tregu. Tregtarët e perimeve të tregut të Lushnjës nuk mund të levizin fermerë me fermerë për të grumbulluar këto produkte për dy arsye: e para sepse nuk kanë interes për sasi të vogla dhe e dyta kosto e transportit do të ishte shumë e madhe dhe kur ata shisnin tek tregtarët e shumicës së Tiranës çmimi i këtyre produkteve do të ishte disa herë më i lartë

b) Luleshtrydhet. Në zonën e Kafarajt në Fier (por jo vetëm, gjithashtu edhe në zonën e Lushnjes dhe zona të tjera të Fierit) janë në periudhën e pjekjes dhe muaji prill dhe deri në mes të majit janë periudha e prodhimit të tyre. Për më tepër, ato nuk kanë kohë të gjatë pjekjeje ( nga ngjyra rozë deri në prekje të plotë nuk zgjat më shumë se një javë). Aktualisht ato janë në periudhë prodhimi. Eksporti i tyre është mbyllur këto ditë pasi nuk ka tregtarë të huaj që po i kërkon. Fermerët nuk mund të arrijnë tregjet kryesore si ai i Tiranës. Javës që vjen këta fermerë do jenë të detyruar të hedhin prodhimet momentale të tyre. Për më tepër nuk dihet se sa mund të zgjat kjo situatë. Nëse zgjat mbi 2 -3 javë, ata do të humbasin 50 % të prodhimit të tyre dhe varianti më i keq 100 % nëse zgjat më tepër

c) Perimet e serave. Momentalisht pothuajse të gjitha serat janë të mbjella. Por më emrgjentja janë serat e mbjella me kastravec, lakra sallate, kungunj etj) të cilat kanë filluar prodhimin e tyre. Çështja është se ato mbillen kryesisht për eksport, i cili nuk po tërheq asgjë për momentin. Tregu vendas nuk po furnizohet (arsyet e transportit), pra edhe për këta fermerë ka filluar dëmi ekonomik i tyre. Mendohet që të jene mbi 500 ha të mbjelleë me këto kultura.

Për domaten është disi më ndryshe, pasi prodhimi i tyre që të fillojë do edhe rreth 1 muaj e gjysmë, por edhe domatet janë mbjellë tashmë në sera dhe duhet hartuar që tani një strategji se si do të mbështeten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë