Treg

Virusi i ka trembur edhe pushuesit nga Kosova

Shoqata Shqiptare e Turizmit do t'i propozojë qeverisë të premten pushim, për të zgjatur fundjavën e pushuesve shqiptarë në plazh.

Përhapja e infeksionit në të dyja anët e kufirit shqiptar është bërë shqetësuese. Në Kosovë dhe Shqipëri së bashku numërohën me qindra të prekur nga COVID-19 dhe çdo ditë ka edhe viktima.
Megjithëse numrat janë në rritje , pushuesit nga Kosova kanë mbërritur në plazhe dhe disa zona malore turistike.
Leni nga Prishtina si çdo vit ka vendosur të pushojë në Shqipëri me shoqërinë. Disa ditë në Theth dhe disa ditë të tjera në plazh. Ajo veçon eksperiencën në Theth që për të ishte hera e parë.
“Në Theth ishte eksperiencë krejt tjetër. Jam kënaqur shumë dhe kam bërë hiking nga Valbona në Theth. Jam lodhur tepër, po ia ka vlejtur shumë. S’po dij hiç çka me besu ma. Veç du të kem kujdes sa të mundem”, tregon Leni për gazetën “Si”.
Edhe në plazh është qetësuar, por pasi vjen çdo vit të pushojë në plazhet shqiptare, për të nuk ka pasur ndonjë efekt surprizë.

Për sa kohë është i hapur vetëm kufiri shqiptar, pushuesit nga Kosova dhe turizmi shqiptar e kanë të lidhur fatin dëshpërimisht këtë vit. Por ndryshe nga vitet e tjera kur Shqipëria për kosovarët ishte një alternativë pushimi, sot është e vetmja alternativë. Ndërsa për Shqipërinë, pushuesi kosovar është e vetmja shpresë ekonomike.
Si në Jug, ashtu edhe në Durrës e veri që në fundqershor është vërejtur një prani në rritje e pushuesëve kosovarë, kryesisht në plazh.
Madje disa syresh i thanë gazetës “Si” se në Ksamil kanë “ndarë” lagjet duke i pagëzuar me emrat e qyteteve nga vijnë si psh: Gjilan, Gjakovë etj.
Prurjen e pushuesve kosovarë e konfirmon edhe administrator i “Fafa Resort” në Golem, Fatos Cerenishti. Ai thotë se nga 10% kapacitet me të cilin po punon hoteli, mbi 90% janë kosovarë, pjesa e mbetur shqiptarë.
“Pushuesit nga Kosova kanë ardhur me paketa all-inclusive ku kanë të përfshirë në çmimin e paketës gjithçka; akomodimin, të tria vaktet e ngrënies, qëndrimin në plazh dhe udhëtimin vajtje-ardhje”, thotë Cerenishti. Ai pohon se ashtu si shqiptarët, edhe kosovarët pushojnë fundjavave, por fundjavat e tyre janë të gjata, nisin përgjithësisht të enjteve.
Turizmi në të gjithë botën po përjeton kohët më të këqija ndonjëherë në historinë e tij. Por Shqipëria është ndër 30 vendet në botë ku ekonomia e saj varet shumë nga ecuria e turizimit. Ndaj momentalisht, sektori i goditur vjet edhe nga tërmeti dhe pa ndonjë injeksion financiar ndihmës nga qeveria, është në momente shumë të vështira.
Shpresa për turistë nga Kosova ka mbetur e fundit, si uji në shkretëtirë.
Tre ditë më parë Ilir Ciko, ekspert në fushë e ekonomisë, do të shkruante në llogarinë e tij në Facebook: “Nuk po vendos foto pasi do të ishte shumë më e trishtë se përshkrimi i asaj që pashë sot në stacionin e autobuzëve plazh Velipojë, ku rastisa ndërsa arriti autobuzi i vetëm nga Kosova. Rreth 20 turistë gjithsej, që zbritën prej tij për të ndeshur një turmë prej mbi 40 vetësh që po i prisnin me padurim për të nisur bërrylat e kacafytjet. Pronarë hotelesh, shtëpish e sekserë që ofrojnë dhe 7.5 euro nata një hyrje për familje, veç për t'ia rrëmbyer gjahun tjetrit që e jep me 8 euro. Kacafytje, dëshpërim e gjithë ditën në pritje në diell për ndonjë klient që kërrkund s'duket. Turizmi është në tatëpjetë…”
Njohës të turizimit në vend, pohojnë se shpërndarja gjeografike e pushuesve kosovarë në plazhet e Shqipërisë është në varësi të mundësisë dhe pamundësisë ekonomike. Kjo do të thotë që ata që kanë mundësi ekonomike modeste i drejtohen Durrësit, Golemit, Velipojës, kurse ata që kanë mundësi, i drejtohen Jugut.
“Me mbylljen e kufijve dhe masave të rrepta shtrënguese që kanë marrë shumë vende, pushuesit nga Kosova janë e vetmja frymëmarrje që i ka mbetur turizmit shqiptar në këto ditë të zeza krize për këtë sektor. Gjermanët dhe të tjerët që mund të lëvizin, nuk vijnë dot sepse vendet e tyre kanë vendosur karantinë të detyrueshme në kthim prej 14 ditësh. Nuk ia vlen barra qiranë për ta që të vijnë të pushojnë në Shqipëri me këtë kusht. Kosovarët për momentin mbeten e vetmja zgjidhje modeste e turizmit në krizë të thellë. Them për momentin, sepse nëse përkeqësohet situata edhe ashtu e rënduar në Kosovë, qeveria jonë do të duhet të marrë masa që të mbyllë kufirin me Kosovën”, thotë Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.
Por sa e madhe është kjo shpresë?
Sipas të dhënave nga Policia Kufitare vetëm në datat 1-7 korrik 2020 kanë ardhur nga pika kufitare e Morinit 48,027 kosovarë, teksa për të njëjtën periudhë në vitin 2019 kanë kaluar 78,953, pra gati 30% më pak.
Nga e njëjta pikë kufitare për muajin qershor 2020 kanë kaluar gjithsej 100.139 kosovarë, nga 208.472 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose dy herë më pak
Shifrat e tregojnë se edhe kjo shpresë është fare e vakët, të paktën për momentin.
Duke parë se si po sillen kosovarët ndaj pushimeve në kohën e pandemisë, të cilët po zgjasin fundjavat për të pushuar më gjatë se dy ditë dhe më pak se pushime të gjata. Ndërkohë pushuesit shqiptarë janë ende shumë më të pakët se kosovarët dhe frekuentojnë vetëm fundjavën. Zak Topuzi thotë se si shoqatë, ata do t’i propozojnë qeverisë që në këtë periudhë të pazakontë pushimesh të bëhet edhe e premtja pushim.
Ai thotë se vështirësia që po kalon turizmi në Shqipëri është e paprecedentë dhe pa shpresë dhe “qeveria nuk po e vë ujin në zjarr duke menduar se iu dha drita jeshile plazheve të hapen dhe kaq. Ende jemi duke pritur një takim që me gjasa nuk do të ndodhë kurrë”.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë