Shendet

Virozat e stinës po prekin çdo moshë, vetëm tamponi e bën dallimin nëse është Covid apo jo

Me hyrjen e stinës së vjeshtës dhe me ndryshimin e temperaturave vihet re një shtim i fluksit të virozave të stinës. Shpeshherë pacientët por edhe vetë mjekët po i ngatërrojnë me Covid edhe pse rastet ditët e fundit janë ulur.

Mjeku i familjes Besar Hysi thotë për Gazetasi.al se kryesisht ka rritje të numrit të pacientëve të grupmoshës pediatrike, por shtimi i fluksit vihet re dhe te pacientët adultë apo mosha e tretë, kryesisht tek këta të fundit kur janë pacientë me imunitet të kompromentuar, pra pacientët me sëmundje kronike dhe u mbivendosen edhe simptomat e virozës.

Mjeku Besar Hysi, drejtues i Qëndrës Shëndetësore Nr.6. Gazeta Si, 28 shtator, 2022.

“Kemi rreth 20-30 raste në ditë të personave që kanë komplikacione të ndryshme. Ka ditë që janë edhe më shumë raste ndërkohë që më parë, në periudha normale pa virozë kishim vetëm 5-10 raste në ditë”, thotë Hysi.

Gjithsesi, edhe pse ka një shtim të rasteve me virozë, Hysi tregon se deri më tani, ka më pak raste në krahasim me vitet e kaluara në të njëjtën periudhë.

Ai shton se kryesisht pacientët paraqiten me simptoma të prekjes së rrugëve të sipërme respiratore si rrufë, teshtima, kollë e thatë, dhimbje fyti dhe temperaturë. Përsa i përket formave gastro intestinale (sistemit të tretjes), Hysaj thotë se rastet janë më të rralla, por nuk mungojnë.

“Ka edhe raste ku pacientët kanë probleme me sistemin e tretjes por në raste të rralla”.

Hysi tregon për Gazetasi.al se shumë herë ndodh që virozat të ngatërrohen me Covidin përsa i përket simptomave dhe për këtë arsye diagnozën përfundimtare e vendos testi i Covid.

“Vetëm me anë të tamponit e kuptojmë nëse jemi përballë Covid apo një virozë stinore”, thotë Hysi i cili shton se pas përgjigjes së tamponit, vendosin edhe për trajtimin që do të ndjekë pacienti.

Edhe mjekë të tjerë të përgjithshëm në Tiranë kanë pohuar më herët për Gazetasi.al se ka një shtim të rasteve me viroza në këtë periudhë ku përgjithësisht gjendja e tyre është e rëndë, me të vjella, temperaturë dhe diarre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë