Kinema

“Virgjëresha shqiptare”, tashmë një fenomen botëror

Pas suksesit të filmit “Delegacioni” 3 vjet më parë, regjisori Bujar Alimani u rikthye sërish në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë në edicionin e tij të 37-të me filmin “Virgjëresha shqiptare”. Filmi shqiptar iu prezantua publikut të huaj më 8 tetor.

Regjisori Bujar Alimani ndjehet i lumtur që “Virgjëresha shqiptare”, pati një premierë botërore, duke komunikuar me një publik jovendës.

“Filmi bëri Premierë Botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë të Polonisë dhe mbi të gjitha arriti të komunikojë me publikun”, thotë regjisori Alimani për Gazetën “Si”.

“Nuk mund ta shpreh sa krenare jam që më në fund po e publikojmë para botës. Kaq shumë njerëz punëtorë për të falënderuar”, ka shkruar në Facebook aktorja Rina Krasniqi, që mban në film rolin kryesor.

Aktorja Rina Krasniqi

Filmi na përball me figurën e femrës shqiptare në kohërat e vështira të jetës zakonore në vendin tonë.

“Filmi trajton temën e gruas dhe pështjelljen e saj në situatat e vështira të jetës zakonore shqiptare – KANUNIT. Jemi në vitet ‘50-‘60 akoma kur regjimi komunist në Shqipëri po konsolidohej fort”, shprehet regjisori Alimani, ndërsa shton se “kjo kohë e bënte dyfish më të vështirë ekzistencën e femrës si një personalitet i veçantë me dëshirat, ëndrrat dhe vendimet që një personalitet njerëzor merr”.

“Virgjëresha shqiptare” e ka përballur publikun me historitë e shkuara shqiptare, pikërisht në historitë patriarkale, që ndoshta në ndonjë cep të Shqipërisë ekzistojnë edhe sot. Subjekti i filmit zhvillohet në vitet ‘60. Një martesë e rregulluar do ta detyrojë Luanën, protagonisten që luhet nga aktorja Rina Krasniqi të mohojë dashurinë e saj për Agimin. Për të përmbushur pritjet e babait të saj, ajo pothuajse sakrifikon dashurinë e saj, por shpejt kupton se Kanuni - grupi i ligjeve tradicionale që qeverisin shoqërinë shqiptare - përfitojnë vetëm burrat. Kështu, ajo vendos që ajo duhet të bëhet një prej tyre: Një burrë. E gjithë kjo ndodh në një vend ku është vendosur diktatura komuniste dhe nuk është e lehtë në mes të ndryshimeve politike që ndodhin të ruhet dinjiteti njerëzor.

“Virgjëresha Shqiptare’ nuk gjykon apo ngre gishtin moral, por i paraqet ngjarjet në terma realë siç mund të kishin ndodhur pikërisht atëherë në Shqipëri, apo edhe sot”, do të shprehej producentja e filmit, Anita Elsani, dhe shton se “filmi të dridh dhe trondit dhe është po aq një lutje për pajtim, dashuri”.

THE ALBANIAN VIRGIN - Trailer from Anita Elsani on Vimeo.

Për të krijuar besnikërisht sfondin e atyre viteve të largëta, regjisorit i është dashur të xhirojë në zona të ndryshme të Shqipërisë, me rrugë të vështira.

“Filmi është xhiruar në Fushë Arrëz, Pukë, Shkodër dhe Kosovë”, vijon  më tej Alimani, ndërsa vë në pah se ia ka dalë mirë, pasi ka pasur një kastë të mirë aktorësh.  

“Kam pasur një kastë të mirë aktorësh, nga Shqipëria dhe Kosova si Rina Krasniqi, Shkurte Sylejmani, Mimoza Azemi, Lulzim Zeqja, Jonida Vokshi, Lum Veseli, Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Alban Ukaj, Astrit Kabashi, Kasem Hoxha, Igli Zarka, Fatlume Bunjaku, Aurita Agushi, Erjon Hodo, etj”.

Aktori Viktor Zhusti dhe regjisori Bujar Alimani

Në këtë film, Alimani përtej “ligjeve të forta tradicionale” që mbizotëronin, në finish na sjell mesazhe optimiste si i ai i humanizmit dhe i paqes.

“Mesazhi i gjithë filmit është humanizmi dhe paqja. Edhe pse e detyruar të hyjë në një qerthull gjaku, personazhi kryesor zgjedh jetën, me çdo çmim që ajo jep”, vijon Alimani.

Për regjisorin, filmi ishte një sukses në Poloni. Ai është ndier i surprizuar që publiku polak kishte një njohje të zakoneve shqiptare.

“E çuditshme është se publiku polak e njihte deri diku Kodin Zakonor Shqiptar e megjithatë u surprizua nga filmi. Kjo ndihej në gjithë pyetje-përgjigjet e organizuara pas çdo shfaqje të filmit”.

Filmi do të udhëtojë edhe në Tiranë mbrëmjen e 15 tetorit, ku do të ketë premierën në Kinema Millenium. Duke shpresuar që filmi të jetë një sukses edhe në kinematografinë shqiptare, përballjen me publikun shqiptar, Alimani e cilëson sa të veçantë, aq edhe të vështirë.

“Në 15 tetor kemi premierën në Tiranë dhe natyrisht kjo përballje me shikuesin shqiptar është dhe e veçantë, po aq sa e vështirë. Filmi flet shqip, kështu që shpresoj të mos ketë barriera në komunikimin me shikuesin tonë. Përpos kënaqësisë që më jep çdo premierë vendin tim. Këtë herë pjesëmarrja e aktorëve dhe e realizuesve të tjerë të filmit do jetë natyrisht shumë më e madhe se në Poloni. Pjesa më e madhe e tyre e shohin filmin për herë të parë”, përfundon regjisori, i cili gjatë karrierës së tij ka realizuar filma që kanë marrë edhe vëmendje ndërkombëtare.

Filmi “Virgjëresha shqiptare” është një prodhim i Elsani & Neary Media GmbH / Gjermani, Potemkino Port / Belgjikë, 90 Production / Shqipëri, Circle Production / Kosovë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë e ka financuar këtë film në kategorinë Bashkëprodhime në Minorancë. Filmi gjithashtu është financuar nga: ZDF ARTE, Qendra Kombëtare e Kinematografisë Kosovë, “Eurimages” dhe “Europe Creative”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë