Sociale

Viktimave të trafikut, strehë sociale dhe mundësi punësimi

Viktimave të trafikimit do t’u krijohet mundësia e strehimit social, si dhe mundësia e shkollimit dhe punësimit. Kjo është një nga synimet që qeveria parashikon të realizojë me anë të një Plani Kombëtar të Veprimit për periudhën 2018-2020. Sipas këtij dokumenti strategjik, kostoja e përgjithshme për realizimin e Planit Kombëtar të Veprimit është rreth 488.9 milionë lekë, afërsisht 3.67 milionë euro.

Në këtë Plan parashikohet trajnimi i policëve për luftën kundër trafikimit, ngritja dhe forcimi i strukturave të mëtejshme, që do të synojnë dhe marrjen në mbrojtje të Viktimave të Trafikimit apo të asaj kategorie që cilësohet si Viktimë e Mundshme e Trafikimit.
Forcimi i bashkëpunimit në hetimet financiare anti-trafikim mes Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, PP dhe Njësisë për Krimet Ekonomike në Prokurorinë Shqiptare, nëpërmjet kryerjes së hetimeve, operacioneve dhe trajnimeve të përbashkëta. Dhënia e kontributit të SHISH në informimin paraprak për veprat e trafikimit të personave, në funksion të hetimit të këtyre veprave janë pjesë e këtij Plani.

Kompensimi dhe mbrojtja me avokat
Qeveria parashikon ngritjen dhe zbatimin e Skemës Shtetërore të Kompensimit të Viktimave të Trafikimit (VT) dhe financimit të shërbimeve të rehabilitimit të tyre. Për këtë qeveria parashikon që të përdorë pasuritë e sekuestruara të krimit të organizuar dhe fonde shtetërore. Gjithashtu mbrojtja dhe përfaqësimi i viktimave me avokat dhe psikolog falas në të gjitha fazat e procesit, që nga referimi i çështjes në Prokurori, deri në dhënien e vendimit të formës së prerë, përfshirë edhe ekzekutimin në rast të vendimit për kompensim; është pjesë e kësaj strategjie. Ndërsa në planin e veprimit është edhe fuqizimi i familjeve të të gjitha viktimave duke dhënë mbështetje socio-ekonomike, si dhe krijimi i lehtësirave për përfshirjen e familjeve të viktimave të dhunës dhe trafikimit në planin social të bashkive, në skemat e strehimit social, lehtësimi për sigurimin e kopshteve dhe çerdheve falas për fëmijët e viktimave të trafikimit dhe të dhunës në familje. Dhënia e ndihmës ekonomike është pjesë e këtij plani. Për realizimin e këtyre objektivave është parashikuar që të paguhet një fond prej 16,200,000 lekësh të reja. Ndërsa si objektiv parashikohet dhe futja në shkollë të viktimave të trafikut, grave apo dhe fëmijëve duke i përfshirë në programin “Mundësia e dytë”. Trajnimi profesional dhe shkollim plotësues për ata grupe vulnerabël që kanë braktisur shkollën është pjesë e këtij Plani, që disponohet nga Gazeta SI.

Fëmijë që lypin pre e grupeve të trafikimit/ Foto ilustruese

Shqipëria nuk ka shifra të sakta dhe marrëveshje me shtete të tjera për antitrafikun
Zyrtarisht në Shqipëri nuk ekzistojnë shifra të sakta se sa është numri i personave që trafikohen; fëmijë, vajza apo gra. Brenda territorit shqiptar numërohen 106 raste, por për shqiptarët që ikin jashtë vendit nuk ka një shifër të saktë. Sipas një raporti të Ministrisë së Brendshme, në paraqitjen e Strategjisë për vitin 2014-2017, vlerësohen si grupe vulnerabël ndaj trafikimit gratë dhe fëmijët nga familje të varfra, gratë e dhunuara, fëmijët në situatë rruge, si edhe burrat, gratë dhe fëmijët nga komunitetet e varfra rome dhe egjiptiane të qendrave të reja urbane. Shumë viktima shqiptare kryesisht femra (të rritura e të mitura) i nënshtrohen shfrytëzimit për prostitucion brenda vendit dhe në vendet fqinje e më tej, sidomos në Belgjikë, Francë, Gjermani, Irlandë, Itali, Holandë, Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Viktimat shpesh pranojnë oferta të rreme për punësim si kameriere, banakiere, kërcimtare apo këngëtare sidomos në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni apo trafikohen me anë të mashtrimit të “të dashurit”. Pavarësisht këtij fenomeni shqetësues, rezulton se Qeveria shqiptare nuk ka firmosur ende marrëveshje bashkëpunimi me shtetet fqinje apo me ato vende të BE-së, për të cilat fenomeni i trafikimit kontrollohet nga bandat shqiptare që shfrytëzojnë shqiptarët si në Belgjikë, Holandë apo Britaninë e Madhe.

Për këtë qeveria parashikon që brenda dy viteve të realizojë përfundimin ose zbatimin e Marrëveshjeve/Protokolleve për shkëmbimin e të dhënave dhe hetimeve të përbashkëta me Malin e Zi, Greqinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të BE-së sipas nevojave, si dhe takime e aktivitete të përbashkëta, të rregullta në funksion të luftës kundër trafikimit. Gjithashtu parashikohet dhe përgatitja e udhëzuesve dhe moduleve të trajnimit për zbatimin e protokolleve bilaterale me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë. Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin më të fundit për trafikimin e qenieve njerëzore, Shqipërinë e rendit në vendet që nuk kanë përmbushur as standardet minimale për parandalimin e trafikimit.
“Qeveria shqiptare nuk ka përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore, por po bën përpjekje të rëndësishme për të arritur këtë synim”, thuhet në raportin më të fundit të DASH. Raporti vë në dukje se janë disa sektorë kyç për të cilat qeveria nuk i ka plotësuar standardet minimale.

Faksimile e fondeve që do të përdoren për implementimin e Strategjisë


Më tej theksohej se Qeveria vazhdon t’i ndëshkojë viktimat e trafikimit për shkelje ligjore, pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që viktimat janë detyruar t’i nënshtrohen trafikimit. Qeveria ka raportuar më pak raste ndjekjesh penale e dënimesh dhe autoritetet vazhdojnë t’i ndjekin penalisht disa trafikantë nën akuza më të lehta, siç është ajo për shfrytëzim prostitucioni.
“Qeveria ka vonuar financimin e strehave të sigurta të drejtuara nga OJQ-të dhe hetimet e ndjekjet penale nuk i ka bërë vazhdimisht, duke u nisur nga parimi që në qendër të tyre të jetë viktima. Policia, thuhet në raport, jo gjithmonë i identifikon viktimat e trafikut mes individëve të përfshirë në prostitucion. Sikurse është thënë në raportet për Trafikimin e Qenieve Njerëzore që nga viti 2014, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, sidomos gjatë sezonit turistik”, thuhet në raport.
Raporti i rekomandon Shqipërisë që t’i përjashtojë viktimat nga ndëshkimi për shkelje ligjore, kur shkeljet janë rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit, sidomos për viktimat e trafikut seksual, të cilat shfrytëzohen për prostitucion; të vazhdojë të hetojë me forcë, të ndjekë penalisht dhe dënojë trafikantët, përfshirë zyrtarët e implikuar në trafikim; të trajnojë hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit për identifikimin e viktimave; të shtojë mbrojtjen e viktimave nga frikësimet dhe kërcënimet gjatë proceseve gjyqësore, duke lehtësuar përfshirjen në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve; të zgjerojë trajnimin e prokurorëve të përfshirë në çështje që merren me viktimat – dëshmitarë; të shtojë fondet për Organizatat Jo-qeveritare që strehojnë viktimat, dhe të rrisë numrin e punonjësve në këto strehë; të rrisë mundësitë e policisë kufitare dhe të shtojë përpjekjet për të kapur që herët shenja për fëmijë të trafikuar; të miratojë një plan mbarëkombëtar, për të cilin të ofrojë burimet e nevojshme financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë