Lajme

Vidhte portofolat në urbanët e Tiranës, kapet 42-vjeçari

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 42-vjeçar, i cili ishte kthyer në tmerrin e qytetarëve që lëvizin me urbanët e linjës në kryeqytet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, nisur nga shqetësimet dhe kallëzimet e bëra nga qytetarët për vjedhjet e portofolave në autobusët e linjës urbane të “Tiranës së Re”, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, organizuan operacionin policor të koduar “Stacioni i fundit” ku dhe u vu në pranga shtetasi me inicialet M. Xh., 42 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vjedhje”).
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi V. J., 65 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vjedhje).
Siç njofton policia, në sajë të materialeve të administruara, këqyrjes së pamjeve filmike dhe veprimeve të tjera hetimore, rezulton se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë edhe të 5 rasteve të tjera të vjedhjeve të portofolave.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë