Lajme

Vidhte portofolat në linjën Durrës-Plazh, kapet 42-vjeçari

Në sajë të operacionit policor “Udhëtari”, Policia ka vënë në pranga një 42-vjeçar në Durrës.
Ai vidhte lekët dhe sende me vlerë të udhëtarëve të autobusit të linjës Durrës-Plazh.
Policia bën me dije se është vënë në pranga shtetasi me inicialet A. M, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.
Në 24 gusht në mbrëmje, në lagjen Nr .17/1 Durrës, në Urbanin e linjës Durrës - Plazhi dyshohet se ai i ka vjedhur shtetasit E. B., banues në Mitrovicë, portofolin ku kishte 200 €, karta banke, kartë identiteti.
Siç thuhet në njoftimin e policisë, pas vjedhjes ai ka tentuar të largohet, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja e tij.
Nga hetimet e kryera rezulton dhe është dokumentuar se shtetasi i arrestuar gjatë dy muajve të fundit ka realizuar disa vjedhje portofolash të udhëtarëve të ndryshëm, të cilët udhëtonin me urbanin e linjës Durrës -Plazh dhe anasjelltas, konkretisht:
• Më datë 07.06.2019 dyshohet se në urban, në xhep i ka vjedhur portofolin shtetasit E. D., ku kishte vlera monetare dhe dokumente.
• Më datë 03.08.2019 dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetases I. H., portofolin dhe telefonin celular.
• Më datë 15.08.2019, dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetasit A. D., portofolin ku kishte vlera monetare dhe dokumente.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan një sasi parash në euro, portofol, kartë banke dhe kartë identiteti.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” parashikuar në nenin 134 të Kodit Penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë