Policia ka arrestuar një 27-vjeçar nga Tirana, pasi vidhte me anë të një arme, pistoletë loje marketet dhe pikat e mbushjes së kartave të telefonit. Policia e Shtetit bën të ditur se pas hetimeve proaktive për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë ka finalizuar operacionin policor “Maskimi”, duke arrestuar shtetasin E.B 27 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera, të dokumentuara edhe me pamje filmike, dyshohet se ky shtetas, nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë ka kryer disa vjedhje si: një market në rrugën "Naim Frashëri", një pike rimbushje telefonike në rrugën e Durrësit, si dhe dyshohet edhe në një pikë dhënie kredie në zonën e Zogut të Zi.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentet kur i riu, i identifikuar me inicialet E.B, me kapele në kokë, nxirrte armën nga një çantë e vogël dhe kërcënonte shitësit për të marrë paratë e xhiros.
Në momentin e arrestimit, policia bën të ditur se gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e proves materiale, një armë zjarri pistoletë me të cilën dyshohet të ketë kryer vjedhjet si dhe rrobat që kishte përdorur në realizimet e vjedhjeve bashkë me kapelet.
Gjithashtu bëhet e ditur se po vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera kriminale ku ky shtetas mund të jetë i implikuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.