Rend dhe Ligj

Vidhnin vepra arti dhe i shisnin, 3 të arrestuar në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar 3 persona, pasi akuzohen për veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit.

Në sajë të operacionit policor “Antikat” janë vënë në pranga shtetasit Altin Veizaj, 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetin tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit dhe Alban Vrapi, 37 vjeç e Roland Zaimaj, 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Policia thotë se gjatë kontrollit në mjet u gjetën dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore, të cilat do të shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.

Siç njofton policia, Altin Veizaj siguronte veprat e artit, ndërsa dy shtetasit e tjerë gjenin klientelën për shitjen e tyre.

Ndërkohë, vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë