Lajme

Vidhen armë në Pashaliman, ushtria nis hetimin

Disa armë automatike, në numër ende të pakonfirmuar dhe një sasi granatash janë vjedhur nga baza ushtarake e Pashalimanit në Vlorë.

Akti është zbuluar të enjten një ditë para nisjes së radhës të ushtrisë shqiptare me mision në Egje.

Policia Ushtarake referoi dokumentat për ndjekje penale në Prokurinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të 5 personave. “Për shkelje të rregullave të shërbimit në objektetet e rëndësishme” si dhe u referuan materiale për veprën penale “Vjedhje”.

Grupe inspektimi nga ministria e Mbrojtjes kanë arritur pranë bazës ushtarake dhe po punojnë për inventarizimin e saktë të armëve.

Burime të pakonfirmuara ushtarake bëjnë të ditur se ushtari që duhej të ruante armët, nuk ndodhej në detyrë në momentin e ngjarjes.

Që të hysh në bazën ushtarake të Pashalimanit, duhet të kalohen 4 kontrolle, ndaj hetuesit dyshojnë se mund të bëhet fjalë për një person të brendshëm dhe që ka pasur informacion.

Aktualisht baza shërben për ankorimin e anijeve të rojes bregdetare shqiptare, duke qënë kështu baza më e rëndësishme ushtarake shqiptare.

Pas vjedhjes së armatimit në Pashaliman, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura bën me dije se në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit kanë nisur zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes brenda bazës ushtarake

“Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dënon aktin por në të njëjtën kohë siguron se, ky rast sporadik, nuk ka dëmtuar sigurinë, gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare. Theksojmë edhe një herë se, papërgjeshmëria e ndonjë individi, qofshin ata efektivë të FA, nuk mund të njollosë figurën, modelin e përkushtuar dhe sakrificën e efektivëve të Forcës së Armatosur Shqiptare”, deklaron FA.

Sipas FA-ve, hetimi administrativ i nisur nga SHPFA po vijon dhe po merren të gjitha masat, që çdo person përgjegjës të ndëshkohet për çdo veprim apo mosveprim të tij, sipas ligjeve në fuqi.

 

Më Shumë