Futboll

Video/ Vllaznisë i humbet “magjia”, Laçi e mund në Shkodër

Vllaznia ka gjetur golin pas 3 ndeshjesh, por jo fitoren, sepse ka pësuar 2 nga Laçi, që ka triumfuar edhe në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj kryesuesve të renditjes, ashtu si fazën e parë. Kjo fitore e ngjit Laçin në vend të dytë, 7 pikë prapa shkodranëve, ndërkohë që edhe Partizani merr një “assist” për t’iu afruar vendit të parë.

Ndeshja që ngriti siparin e javës së 18-të të Superiores ishte e mbushur me episode dhe jo pak tension. Trajneri Tomas Bërdariç nuk kishte të gatshëm Krymin të skualifikuar, por në pjesën e parë ai humbi edhe mesfushorin tjetër Herald Marku për dëmtim. Pikërisht në momentin e dëmtimit të tij pati tension në fushë, pasi laçianët nuk respektuan “fair-play”-in me Albion Markun dhe shkodranët reaguan ashpër.

Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, i pari nga Nuabueze, i cili nuk gaboi përballë portierit Zogoviç, pas pasimit të Shehut që i rrëmbeu topin Kaleziç. Por Vllaznia reagoi shpejt dhe barazoi me Imerin. Sulmuesi i kuqebluve dërgoi në rrjetë një top të kthyer në lojë nga shtylla, pas goditjes së Krujës. U duk se loja shkoi aty ku donin shkodranët, por Laçi goditi sërish me Harmon.

Për më shumë se 13 minuta në fundin e ndeshjes Laçi luajti me 10 vetë, sepse Obanor u ndëshkua me karton të kuq, megjithatë ia doli ta ruante rezultatin. Skuadra e Shpëtim Duros vazhdon me paraqitje të mira dhe efikase, ndërsa Vllaznisë duket se po i humbet “magjia”. Kjo ishte ndeshja e tretë pa fitore, por shkodranët vazhdojnë të udhëheqin renditjen me 37 pikë.

Tri nga katër ndeshjet e tjera të javës së 18-të të Superiores luhen nesër, ku më shumë interes paraqet Bylis-Partizani. Tirana pret Skënderbeun dhe Teuta Apoloninë, ndërsa Kukësi-Kastrioti ëhstë programuar të luhet të dielën në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë