Futboll

Video/ Vllaznia dhuron spektakël dhe “arratiset”, Kukësi prek fundin

Mungon Ardit Hoxhaj, por është Arlind Kalaja. Është i tij goli i fitores së Vllaznisë ndaj Kukësit në stadiumin “Elbasan Arena”. Sulmuesi shkodran ka ndëshkuar ish-skuadrën e tij, ka realizuar golin trepikësh në pjesën e dytë dhe u ka bërë me shenjë kuksianëve të heshtin, duke iu referuar deklaratave në formë presioni që ata kishin bërë para ndeshjes.

Vllaznia është gjithmonë e më spektakolare në lojë dhe rezultate, kurse trajneri Tomas Bërdariç tashmë është një superstar në Shkodër. Skuadra e tij vazhdon të udhëheqë bindshëm, me fitoren 1-0 ndaj Kukësit ka shkuar në 32 pikë, 9 më shumë se Teuta e vendit të dytë.

https://streamable.com/tvuqxk
Goli i Kalasë. Gazeta Si, 15 janar 2021

Edhe me dy mungesa të rëndësishme, si kapiteni Erdenis Gurishta dhe shënuesi më i mirë i skuadrës Ardit Hoxhaj, Vllaznia ia ka dalë ndaj një Kukësi, që duket në krizë të thellë. Veriorët kanë pësuar humbjen e 4-t radhazi dhe në 6 ndeshje kanë marrë vetëm 1 pikë, tregues të qartë se nuk e ka pasur fajin trajneri i larguar, Skënder Gega. Kukësi ka 17 pikë pas 14 javësh.

Supersfida Kukësi-Vllaznia ka ngritur siparin e javës së 14-të të Superiores, bashkë me Teuta-Bylis. Teuta e ka pasur më të lehtë në stadiumin “Niko Dovana”, ku ka fituar 2-0 ndaj Bylisit. Lorenco Vila dhe Gruda realizuan golat për durrsakët, që kthehen te fitorja pas humbjes me Vllaznisë dhe marrin vendin e dytë. Një fitore qetësie kjo për skuadrën e drejtuar nga trajneri Edi Martini.

https://streamable.com/nq8aoc
Gaoli i Lorenco Vilës. Gazeta Si, 15 janar 2021

Nesër në mesditë do të luhen tri ndeshjet e tjera të kësaj jave, Tirana-Kastrioti, Apolonia-Laçi dhe Skënderbeu-Partizani. Me shumë interes priten ndeshjet e Tiranës dhe Partizanit, pas ndërhyrjeve që kanë bërë në merkaton e dimrit.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë