Futboll

VIDEO/ Uzuni i shënon Juves dhe feston si Ronaldo, Morata shpëton italianët

Myrto Uzuni ka lënë shenjën e tij në “Allianz Stadium” me rikthimin si titullar në Champions League. Edhe pse Ferencvaroshi i tij u mund në fund 2-1, sulmuesi beratas i Kombëtares ka rrëmbyer skenën e Championsit me golin e shënuar në Torino dhe festën si Ronaldo. Një mbrëmje magjike për futbollistin shqiptar, që i ka shënuar një ekipi të madh para syve të idhullit të tij.

Uzuni feston golin ndaj Juventusit si Ronaldo. Gazeta Si, 24 nëntor 2020

Në minutën e 19-të ndeshjes, Uzuni u tregua shumë i shpejtë në zonën e Juventusit, duke devijuar saktë një top të ardhur nga e djathta për ta dërguar në portën e Sheznit. Një gëzim i jashtëzakonshëm për lojtarin e Ferencvaroshit dhe Kombëtares kuqezi, i cili festoi pikërisht si idhulli Kristiano Ronaldo. Portugezi barazoi Brenda pjesës së parë për Juventusin, që vuajti shumë për të gjetur golin e fitores me Moratën në minutën e 2-të shtesë. Bernardeski dhe Morata goditën edhe shtyllën në këtë ndeshje.

https://streamable.com/x6xp4z
Goli i Myrto Uzunit ndaj Juventusit. Gazeta Si, 24 nëntor 2020

Të gjitha skuadrat e tjera të mëdha kanë fituar pa probleme. Barcelona, edhe pse pa Lionel Mesin, fitoi 0-4 në fushën e Dinamos së Kievit. Mançester Junajtid mposhti Bashakshehirin 4-1, Borusia Dormund 3-0 Bryzhin, kurse Lacio 3-1 Zenitin, duke hehdur një hap të sigurt përpara drejt kalimit të grupit. Ka fituar edhe PSG ndaj Lajpcigut, duke e parakaluar ekipin gjerman në renditje dhe duke shtuar shanset e kualifikimit.

Çelsi dhe Sevilja, që fituan në transfertë me të njëjtin rezultat, 1-2, përkatësisht ndaj Renes dhe Krasnodarit, janë kualifikuar për në turin tjetër. Në lojë mbetet vetëm vendi i parë.

Rezultatet e ndeshjeve të sotme
Krasnodar-Sevilja 1-2
Renes-Çelsi 1-2
Borusia D.-Bryzh 3-0
Lacio-Zenit 3-1
Dinamo Kiev-Barcelona 0-4
Juventus-Ferencvarosh 2-1
Mancester U.-Bashakshehir 4-1
PSG-Lajpcig 1-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë