Futboll

Video/ Uzuni-Kaçe shënojnë me prekjen e parë të topit, realizon dhe Balaj

Një mbrëmje e bukur për disa nga futbollistët e Kombëtares, të cilët kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës me klubet e tyre, edhe pse i kanë nisur ndeshjet nga stoli. Interesant është fakti se Myrto Uzuni, një nga kuqezinjtë më në formë të momentit, ka shënuar vetëm 1 minutë pasi u fut në fushë për Ferencvaroshin, që fitoi 1-3.

Beratasi u hodh në fushë nga trajneri Sergej Rebrov në minutën e 65-të dhe në të 66-ën e dërgoi topin në rrjetë, duke realizuar golin e tretë dhe të sigurisë për Ferencvaroshin në fushën e DVTK. Uzuni u tregua i saktë brenda zonës së rreptësisë. Skuadra e futbollistit shqiptar udhëheq bindshëm kampionatin hungarez, ndërsa Uzuni është gjithmonë protagonist.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe me Ergys Kaçen, mesfushorin korçar që ka munguar në Kombëtare kohët e fundit. Ai fut në fushë për Arisin kur rezultati ishte 2-0 për kundërshtarin, ndërsa skuadra e tij luante me 10 vetë. Pas 2 minutash Kaçe shkurtoi diferencën e golave në 1-2 dhe më pas Arisi barazoi 2-2 në fushën e Atromitosit. Goli i shënuar sot mund të ndikojë pozitivisht për të ardhmen e mesfushorit shqiptar.

https://streamable.com/ajg5k2
Goli i Kaçes ndaj Atromitosit. Gazeta Si, 5 dhjetor 2020

Ka shënuar sot edhe Bekim Balaj, sulmuesi shkodran i Kombëtares, edhe ai i aktivizuar nga stoli te Shturmi në Austri. Balaj luajti gati 20 minuta dhe realizoi në kohën shtesë golin e katërt për skuadrën e tij në fushën e Austrisë së Vienës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë